Posta e Kosovës ka prezantuar Shërbimin Financiar Jobankar, ku mund të
kryhen këto shërbime: Pagesa e tatimit në pronë, dënimet në trafik,
pagesat e taksave gjyqësore, pagesat për dokumente personale, faturat e
energjisë elektrike, faturat e ujit të pijshëm, të gjitha pagesat e
studenteve të Universiteteve Publike etj.

Pjesëmarrës në prezantim ishte Kryeministri Hashim Thaçi, i cili e shfrytëzoi këtë promovim të sherbimeve postare për të paralajmëruar heqjen  e të gjitha pagesave për studentët e universiteteve publike në Kosovë.

“Ne jemi duke punuar për t’ia lehtësuar pak punës Postës, sepse jemi duke punuar që studentët të mos paguajnë asgjë”, tha Thaçi.

Nga ana tjetër ishte Kryeshefi Ekzekutiv i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha, i cili u ndal në sqarimin e shërbimit për të cilin në ceremoni ishte thirrur edhe Kryeministri. Ai tha se ky shërbim do të lehtësojë dukshëm kryerjen e shërbimeve financiare për qytetarët pasi të gjitha pagesat mund të kryhen në filialet e postës të shtrira edhe në zonat rurale.

“Përparësia e parë e postës së Kosovës është që ne kemi një shtrirje të gjerë në të gjithë Kosovën me 157 zyra postare, që janë shpërndarë në të gjithë territorin e vendit. Zyrat tona postare punojnë deri në 21:00, pavarësisht faktit se institucione të tjera që ofrojnë shërbime punojnë deri në orën 16:00”, tha Hoxha.

Ndërsa, Kryeministri Thaçi, vlerësoi Postën e Kosovës si ndërmarrjen më të susksesshme në vend dhe rikonfirmoi përkrahjen maksimale të Qeverisë në rritjen e cilësisë së shërbimeve postare.
 

Top Channel