Durrës, ujësjellësi padit 100 debitorë

24/04/2014 00:00

Këtë vit, 100 kallëzime penale ndaj debitorëve janë depozituar pranë
Prokurorisë së Durrësit nga shoqëria e Ujësjellës Kanalizimeve, e cila
po vazhdon prerjen e lidhjeve të paligjshme në rrjetin e ujësjellësit
përgjatë superstradës Durrës-Tiranë dhe ndërprerjen e furnizimit me ujë
të pijshëm për debitorët e qytetit bregdetar.

Inspektorët e Ujësjellësit kanë prerë të enjten afro 30 lidhje të paligjshme, shumica e të cilave i përkasin subjekteve të ndryshme private, si lavazhe, pika servisi, karburante etj.

Debia e faturave të papaguara për UKD në total është  1.7 miliard lekë, ndërsa debitorët janë abonentët familjarë, subjektet private dhe entet shtetërore. Ndërkohë zyra juridike pranë UKD-së vijon punën për hartimin e kallëzimeve penale ndaj abonentëve debitorë. Gjatë 2 viteve të fundit numërohen rreth 500 kallëzime penale ndaj familjarëve dhe subjekteve private, 100 prej të cilave janë bërë vetëm gjatë këtij viti.

Top Channel