Rama takon Papa Françeskun

24/04/2014 00:00

“Audienca me Papa Françeskun, një orë e mrekullueshme përballë thjeshtesisë së Njeriut”. Kështu e ka përshkruar kryeministri Edi Rama takimin e zhvilluar paraditen e së enjtes, në Selinë e Shenjtë me kreun e Kishës Katolike.

Siç njofton zyra e shtypit në Këshillin e Ministrave, kryeministri shprehu vlerësimin e lartë për rolin e Papa Françeskut në drejtimin e Selisë së Shenjtë dhe përkushtimin e tij të veçantë në promovimin e vlerave të solidaritetit, përfshirjes, mundësive të barabarta dhe drejtësisë shoqërore.

Gjatë takimit, kryeministri Rama e ftoi Papa Françeskun të vizitojë Shqipërinë në të ardhmen e afërt, ftesë të cilën Ati i Shenjtë e mirëpriti.

Kryeministri Rama zhvilloi edhe një tjetër takim me sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Pietro Parolin, ku u diskutua për frymën e tolerancës fetare që mbizotëron në Shqipëri, rolin që Selia e Shenjtë luan në promovimin e dialogut ndërfetar dhe forcimin e marrëdhënieve me Shqipërinë, pas shembjes së regjimit komunist.

Kryeministri i shprehu kardinalit Parolin domosdoshmërinë e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ana e Vatikanit, në përputhje me realitetet e reja në rajon.

Gjatë vizitës në Vatikan, zoti Rama shoqërohej nga bashkëshortja Linda, ministri i Jashtëm Bushati, ministrja e Mbrojtjes Kodheli dhe ministrja e Arsimit, Nikolla.

Top Channel