Me një deklaratë në mesditën e së mërkurës, shërbimi statistikor europian “Eurostat” ka pohuar se Greqia ka arritur, për vitin 2013, një tepricë buxhetore primare prej 1,5 mld euro apo 0,8% të PBB.

Sipas zëdhënësit të Komisionit Europian, Simon O’Conor, kjo arritje është një tjetër zhvillim pozitiv në përpjekjet e Greqisë për të dalë nga kriza shkaterruese e borxhit, që filloi katër vjet më parë.

“Kemi një sufiçit primar prej 0,8% të PBB-së, që është shumë më tepër se objektivi për vitin 2013, i cili parashikonte një buxhet të balancuar primar, të përcaktuar në programin e rregullimit ekonomik, dhe është një pasqyrim i progresit të jashtëzakonshëm, që Greqia ka bërë në financat e saj publike, që nga viti 2010”, u shpreh Simon O’Connor, zëdhënës i KE, për Reuters.

Sipas kryeministrit Samaras, Greqia po del gradualisht nga kriza. Tashmë, qeveria greke pretendon se kjo arritje hap rrugën për lehtësimin e borxheve, në një moment kur borxhi publik grek është rritur në 318,7 mld euro, ose 175,1% të PBB.

“Ashtu siç kemi vërtetuar, që i kemi arritur objektivat, paralelisht pretendojmë kushte më të mira të bashkëpunimit me partnerët tanë dhe kreditorët”, ka deklaruar Kristos Staikuras, zv/ministër i Financave, për Reuters.

Njoftimi për këtë arritje të madhe të Greqisë është bërë pikërisht 4 vjet, pasi ish-kryeministri Papandreu të deklaronte, nga ishulli grek i Kastelorizos, se qeveria e tij do të kërkonte një paketë ndihmë kolosale nga BE, BQE dhe FMN, në mënyrë që vendi të mos falimentonte.

19 muaj më pas, ai ka dhënë dorëheqjen, ndërsa qeveria e sotme e koalicionit – me konservatorët dhe socialistët e PASOK-ut, – ka zbatuar një program reformash të thella antipopullore, me kusht që vendi të qëndronte në Eurozonë.

Deri tani, Greqia ka marrë 218 mld euro kredi, por përveç problemit të rritjes së borxhit të saj, ajo përballon rritjen e papunësisë dhe të varfërisë në vend.

Top Channel