Në vitin 2013 në Kroaci defiçiti i financave publike ka arritur 4.9 për qind të GDP-së (2.13 miliardë euro), ndërsa borxhi publik ka kapur kuotën prej 67 për qind të prodhimit të brendshëm kroat, baraz me 29 miliardë euro.

Të dhënat janë publikuar në ditët e fundit nga instituti kroat i statistikave, DZS, të llogaritura për herë të parë në përputhje me metodologjitë evropiane e që do shërbejnë si pikë referimi për kontrollet e KE.

Ajo që shqetëson më shumë është shpërthimi i fuqishëm i borxhit në vitet e krizës ekonomike. Në vitin 2010 ishte në 45 për qind të GDP-së, në fund të 2012 në 56 për qind dhe në dhjetor 2013 në 67 për qind, me një rritje prej 11 pikësh në vetëm dy vjet.

Borxhi është rritur në këto nivele për shkak të bondeve të reja të shtetit, të përdorura për të mbuluar humbjet në sektorin e shëndetit publik.

Bondet janë vendosur gjithashtu në tregun ndërkombëtar me interesa shumë më të larta sesa në të kaluarën, për shkak të nivelit tejet të ulët të kreditimit që agjencitë ndërkombëtare i kanë atribuar Kroacisë.

Në vitin 2013 të ardhurat arritën në 17.7 miliardë euro, ndërsa shpenzimet 19.8 miliardë, duke ulur gjithësesi defiçitin krahasuar me një vit më parë me 0.7 për qind.

E ndërsa borxhi publik pritet të rritet edhe këtë vit, parashikohet që falë një sërë masash që në ditët e ardhshme do t’i prezantohen Brukselit, defiçiti të vijojë rënien.

Top Channel