Francë-Gjermani, garanci Gjeorgjisë për BE

24/04/2014 00:00

Franca dhe Gjermania kanë siguruar Gjeorgjinë, gjatë së enjtes, se marrëveshja, e cila do ta afrojë atë me Bashkimin Europian, mund të arrihet brenda pak javësh, duke forcuar kështu lidhjet me ish-republikën sovietike, pas rritjes së tensioneve mes Rusisë dhe Perëndimit, për shkak të krizës në Ukrainë.

Diplomatët e dy kombeve më të fuqishme të BE-së konfirmuan planet për të përshpejtuar nënshkrimin e një marrëveshjeje për të forcuar marrëdhëniet ekonomike dhe politike, e njëjta si ajo që refuzoi Ukraina në Nëntor, e cila shkaktoi krizën më të madhe mes Lindjes dhe Perëndimit, që prej Luftës së Ftohtë.

“Jam i sigurt se, diku nga fundi i Qershorit, marrëveshja do të jetë nënshkruar dhe kjo do të jetë një arritje e rëndësishme në historinë e marrëdhënieve gjeorgjiane-europiane”, tha ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, nga Tbilisi.

“Kjo marrëveshje nuk ka objektiv të jetë kundër dikujt. Marrëdhëniet ekonomike të BE-së me Gjeorgjinë nuk vë aspak në dyshim bashkëpunimin ekonomik mes Gjeorgjisë dhe Rusisë”, tha ai në një konferencë të përbashkët me ministrin e Jashtëm francez, Laurent Fabius.

Gjeorgjia ka një rëndësi të madhe strategjike, sepse është në rrugën kryesore të tubacioneve të naftës dhe gazit, prej vendburimit të Detit Kaspik, një alternativë kjo për tregjet botërore e energjisë ruse.

Marrëdhëniet mes Gjeorgjisë dhe Rusisë kanë qenë të këqija, kryesisht pas luftës 5-ditore në vitin 2008, kur forcat e Moskës hynë në territorin e vendit të vogël të Kaukazit. Ajo luftë nisi pjesërisht si rezultat i ndryshimit të kursit të Tbilisit për t’iu bashkuar NATO-s dhe për t’u afruar më shumë me BE-në.

Top Channel