Partia Demokratike Shqiptare ka vijuar me akuzat për korrupsion ndaj zyrtarëve të partisë shqiptare në pushet, Bashkimi Demokratik për Integrim.

Anëtari i kryesisë qendrore të PDSH-së, Orhan Ibrahimi tha se ndërsa shqiptarët në Maqedoni jetojnë në varfëri të skajshme, funksionarët e BDI-së, duke keqpërdorur fondet e institucioneve që drejtojnë, kanë ndërtuar vila luksoze milionere.

“Sot jemi para shtëpisë së Musa Xhaferit, i cili mban postin e zv/kryeministrit. Vetëm në diktatura një punonjës shteti mund të ketë shtëpi të këtillë, të cilën rroga që merr Xhaferi kurrësesi nuk e justifikon! Justifikimi i vetëm është korrupsioni, hajnia, vjedhja e fondeve të mërgimtarëve dhe shitja e interesit kombëtar”, deklaroi Ibrahimi.

“Në disa blloqe shtëpish të të varfërve ndodhet edhe shtëpia luksoze e Izet Mexhitit, e Bujar Osmanit, si dhe dhjetëra shtëpi funksionarësh dhe pagë-mbledhësish të BDI-së, të pasuruar në kurriz të shqiptarëve”, vijoi ai.

Ndërkohë, partia e Ali Ahmetit ka depozituar të enjten në prokurori dosjen e kompanisë “Interpromet”, për të cilën pretendon se është në pronë të familjes së liderit të PDSH-së, Menduh Thaçi.

Drejtuesit e BDI-së kërkojnë rishikimin e proçedurave të privatizimit përmes të cilave, siç thonë ata, Thaçi u pasurua me 56 mijë metra katrorë pasuri të patundshme, që sipas BDI-së është 80% e pronës publike të Tetovës.

Në një deklaratë me shkrim, BDI shpreh dyshimin se qëllimi i PDSH-së për pjesëmarrje me çdo kusht në qeveri është vetëm ruajtja dhe moscënimi i pasurisë dhe bizneseve të Thaçit.

Top Channel