Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, para banorëve të Gostivarit u shpreh i bindur se më 27 prill partia e tij do të dalë fituese në zgjedhjet parlamentare në bllokun politik shqiptar dhe do të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme.

“Po ju them një të vërtetë që edhe zogjtë mbi çati e dinë, se BDI, bijtë tuaj, janë fitues absolut në këto zgjedhje dhe s’ka forcë që u del para. Sepse kanë realizuar qëllimet dhe arritjet që gëzojmë sot”, deklaroi Ahmeti.

Por sipas liderit të Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, pjesëmarrja e deritanishme e BDI-së në qeveri vetëm sa ka dëmtuar rëndë shqiptarët.

“BDI ka 12 vjet në pushtet dhe pjesa e Shkupit ku jetojnë maqedonasit i ngjan Parisit, kurse kjo ku jetojnë shqiptarët i ngjan Afganistanit. Maqedonasit jetojnë në parqe, teatro, kulturë e shkolla, ndërsa Shkupi në pjesën shqiptare jeton në baltë, pa ambulancë, pa infrastrukturë dhe pa investime”, tha Thaçi gjatë një mitingu në Shkup.

Ai shtoi se pas 28 prillit do të marrë fund terrori ndaj shqiptarëve, për shkak se, siç u shpreh ai, pjesë e qeverisë së re do të jetë PDSH-ja dhe jo BDI-ja e Ali Ahmetit.

Top Channel