Kelmendi, kampione Europe në xhudo

24/04/2014 00:00

Xhudistja kosovare, Majlinda Kelmendi, ka arritur të mundë rusen Natalia Kuziutina, në finalen e Europianit, që po zhvillohet në Francë. Kjo është medalja e dytë e rëndësishme, pasi titullit botëror, që fitoi vitin e kaluar.

Xhudistja nga Peja triumfoi në kategorinë e saj 52 kg, duke u bërë fituese për herë të parë e një medaljeje të artë në një Europian.

Majlinda Kelmendi ka arritur të mposhtë në gjysmëfinale të Europianit, gjermanen Mareen Kraeh, për të shkuar deri në finalen e së enjtes. Ndërkohë, në rrugën e saj drejt suksesit, Kelmendi kishte mposhtur me lehtësi edhe xhudistën nga Armenia, Zhanna Stankevich.

Raundin e parë, xhudistja pejane e kaloi pa u ndeshur, ndërsa në raundin e dytë ishte më e mirë se rumunja, Alexandra Larisa Florian.

Kampionati europian i Xhudos po zhvillohet në Montpellier të Francës, nga data 24-27 Prill. Për 4 ditë me radhë, 7000 spektatorë do të mund të shohin ndeshjet e mrekullueshme e të nivelit të lartë të xhudos, sa i përket individëve dhe garave ekipore.

Top Channel