Siri, sulm ajror i qeverisë, mbi 20 viktima

24/04/2014 00:00

Një sulm nga ajri i qeverisë siriane mbi një market në qytetin e kontrolluar nga rebelët ka lënë të vdekur më shumë se 20 persona, bëjnë të ditur grupe të aktivistëve. Nga sulmi ajror në Atareb, në veri të qytetit të Aleppos, kanë mbetur të plagosur me dhjetra vetë.

Siria është përfshirë nga lufta civile prej 3 vitesh, nga e cila janë vrarë mbi 150 mijë njerëz. Forcat qeveritare kanë arritur të fitojnë terren së fundi, por rebelët ende kontrollojnë territore të tëra në vend.

Sulmet nga ajri goditën një market perimesh tepër të populluar në orët e para të mëngjesit të së enjtes, njoftoi Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, me bazë në Londër. OSDNJ, që gjendet pranë rebelëve, shtoi se numri i viktimave ka shkuar në 27.

Ndërkohë, Qendra Mediatike e Aleppo-s, një tjetër grup aktivistësh, thonë se janë mbi 20 viktimat e sulmit ajror, gjë që raportohet edhe nga agjencia e lajmeve AP.

Pamje filmike të raportuara nga skena e ngjarjes tregojnë trupa të shtrirë mes rrënojave dhe shkatërrim të marketit.

Rami Abdel Rahman, i cili drejton OSDNJ, tha për agjencinë AFP se nejrëzit e vrarë nga ky sulm ishin të gjithë civilë të pafajshëm. Abu Obar, një aktivist lokal, tha për agjencinë: Zona e goditur të enjten është një market ushqimor, ndaj dhe viktimat që mbeten prej këtij sulmi janë të gjithë civilë. “Regjimi është duke goditur tashmë civilët, të cilët mbështesin revoltat kundër presidentit Bashar al-Assad”, shtoi më tej ai.

Në fillim të kësaj jave, qeveria siriane njoftoi se do të zhvillonte zgjedhjet presidenciale më 3 Qershor, një plan i denoncuar nga OKB, SHBA dhe BE. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, akuzoi të dyja palët për “shkelje flagrante” të ligjeve ndërkombëtare, sa i përket dhënies së ndihmave, duke penguar mbi 3,5 milionë civilë të kenë mundësi të marrin ndihma jetësore dhe ilaçe.

Top Channel