Top Story, politikat ekonomike

24/04/2014 00:00

Paketa e qeverisë për biznesin fason e prezantuar javën e kaluar dhe gjithë politikat ekonomike të saj kanë qenë tema e takimit të kësaj të enjteje në emisionin “Top Story” në Top Channel.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarit Sokol Balla, ka nxjerrë në pah efektet pozitive që kjo paketë do të ketë tek industria fasone. Por optimizmit të ministrit i ka bërë oponencë paneli i përbërë nga gazetarë dhe ekspertë të ekonomisë, të cilët kanë vlerësuar se vizioni i qeverisë për zhvillimin ekonomik duhet të jetë më i gjerë.

Ahmetaj: Paketa fasone nxit zhvillimin ekonomik

Në fjalën e tij ministri Ahmetaj ka vlerësuar se paketa për fasonët do të ketë një ndikim shumë pozitiv në ekonomi, pasi bëhet fjalë për një industri që ofron vendet më të shumta të punës për popullsinë.

“Ne e kemi vizituar biznesin fason që prej dy vjetësh dhe kemi premtuar se do të mbështetet me të ardhur PS në qeveri. Fasoni është industria që jep punësim dhe të ardhura direkte për individët. Pra, krijon vende pune për shtresat në nevojë, xhiro ekonomike të rëndësishme, etj”, ka thënë Ahmetaj.

Ai ka sqaruar se, për këtë arsye kjo industri ishte një nga pikat kyçe të programit ekonomik të Partisë Socialiste, por kur ajo erdhi në qeveri ekonominë e gjeti në një gjendje katastrofike.

“Diskutimi ynë me FMN-në pati prioritet frenimin e rrëshqitjes ekonomike të Shqipërisë. Kur ishim në opozitë kishim bërë llogaritjet tona, që pjesa e padeklaruar e borxhit ndaj biznesit që kishte qeveria e kaluar ishte jo më shumë se 400 milionë dollarë. Por kur erdhëm në pushtet fatura mbante një shifër surprizë, pasi ishte dyfishi i asaj që ne mendonim dhe situata ishte më keq nga sa mendonim”, ka pohuar Ahmetaj.

Sipas tij, vetëm në periudhën prill-shtator buxheti i shtetit kishte humbur 270 milionë dollarë për shkak të mungesës së efiçencës dhe korrupsionit, ndërkohë që në korrik 2013 nuk kishte para as për të paguar rrogat e administratës.

Ahmetaj ka theksuar se, nëse qeveria e re nuk do të kishte kryer reformat e nevojshme financiare në bashkëpunim me FMN, atëherë ekonomia shqiptare do të kishte vijuar tatëpjetën.

“Nëse qeveria nuk do të kishte bërë atë rishikim të buxhetit dhe atë rritje të financimeve në treg… Shkurti shënoi fundin e rrëshqitjes ekonomike nga masat që morëm ne”, ka theksuar ministri.

Më tej, ai ka mohuar që lidhur me paketën për fasonët të ketë pasur fërkime mes partive të koalicionit qeverisës. “Të dyja partitë ishin në harmoni të plotë sa i takon kësaj mbështetjeje. Nuk ka pasur debat as për kohën, as për filozofinë e mbështetjes”, ka shtuar Ahmetaj.

Erebara: Paketa e qeverisë, flluskë sapuni

Por optimizmin e ministrit e ka zbehur gazetari i njohur i çështjeve ekonomike, Gjergj Erebara, sipas të cilit paketa e qeverisë nuk është aq nxitëse për biznesin.

“Kjo paketë ka shumë premtime, por kur vjen fjala tek fondi është tjetër gjë. Biznesit fason i duhen 600 milionë, kështu që shifra prej 1 milion është një pikë ujë”, ka vlerësuar Erebara.

Sipas tij, një tjetër pikë që “shfryn” optimizmin e qeverisë është fakti se shoqëria shqiptare ka avancuar dhe shteti nuk duhet të mbetet i fokusuara në industri të dala jashtë mode.

“Fasoni është një histori e shkuar në Shqipëri, sepse është për njerëzit më të varfër dhe ata më pak të kualifikuar. Të rinjtë sot nuk kanë më ambicjen për të punuar vetëm në fabrikë dhe rrjedhimisht punëtorë në biznesin fason ka edhe më pak”, ka nënvizuar Erebara.

Civici: Ekonomia ka nevojë për reforma strukturore

Në të njëjtën linjë është shprehur edhe eksperti i ekonomisë, Adrian Civici, i cili ndonëse ka pohuar se industria fasone është një segment i rëndësishëm i ekonomisë, ka theksuar se ajo nuk është gjithçka.

“Frenimi i rënies ekonomike dhe nevoja për punësim vë në këtë kontekst industrinë fason. Duket si një nevojë emergjente e qeverisë për të zhvilluar një sektor dhe ndërkohë anashkalohen të tjerët. Fasoni është një element pozitiv, por rritja dhe zhvillimi ekonomik i vendit nuk mund të bazohet vetëm tek ky biznes”, ka thënë Civici.

Sipas tij, nëse nuk kalohet në një industri me vlerë më të lartë, atëherë vendi nuk ka zhvillim ekonomik.

“Ne kërkojmë sot dëshpërimisht rritjen ekonomike, por jemi në një moment që ekonomia ka disa cikle që duhen marrë parasysh. Po e ndaj këtë moment në tre faza: e para është më e lehta, ajo e efektit të reformave të tregut; e dyta t’i kushtohet rëndësi stimujve fiskalë. Sot kemi ardhur në një moment kur politikat fiskale janë shumë të kushtëzuara; e treta janë reformat strukturore për prodhimin vendas dhe rritjen e eksporteve. Në këtë drejtim ekonomia shqiptare nuk ka ndonjë zhvillim spektakolar. Mesa duket, ajo që ne presim janë pikërisht këto reforma strukturore”, ka vënë në dukje Civici.

Jaka: Informaliteti dhe kreditë e këqija, plagë të ekonomisë

Edhe kryetari i Dhomës së Tregtisë e Industrisë, Nikolin Jaka e ka vlerësuar si të moderuar efektin që paketa fasone do të ketë në ekonominë shqiptare.

“Po ta analizojmë në mënyrë të detajuar se çfarë fiton industria e fasonit, nuk është ndonjë fitore e madhe. Duhet një paketë afatgjatë për ta shndërruar këtë industri në industri eksportuese”, ka deklaruar Jaka.

Sipas tij, për zhvillimin ekonomik duhen ndërmarrë masa të tjera me qëllim nxitjen e tregut, në një kohë kur fuqia blerëse në vend ka rënë ndjeshëm.

“Besimi tek biznesi vjen kur konsumatori ka prirje për të konsumuar. Çdo kompani, e vogël apo e madhe, ka sukses në momentin që konsumatori është prezent në treg”, është shprehur Jaka.

Sipas tij, një tjetër element që e rëndon këtë situatë është edhe sistemi i kredive të këqija, për të cilin qeveria duhet të kishte vepruar, ndërkohë që plaga e vërtetë e ekonomisë shqiptare është informaliteti.

“Modeli ekonomik ka konsumuar resurset që mund të sjellin potencial për zhvillim. Ne duhet të jemi më të orientuar tek modeli i krahasimit të ofertës. Nëse në këtë drejtim ne jemi pak më tërheqës se vendet e rajonit, atëherë ekziston mundësia që të gjenerojmë zhvillim ekonomik”, ka shtuar Jaka.

Pjesa e dytë e Top Story nisi me raportimin e dhënë në Komisionin parlamentar të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. Ai informoi deputetët me ecurinë dhe parashikimet për ekonominë si dhe politikat e Bankës së Shqipërisë për nxitjen e kreditimit. Fullani kërkoi ndihmën e qeverisë për të realizuar këtë, pasi sic tha ai, vetëm politikat e BSH-së nuk mjaftojnë. Njëri prej elementëve ku duhet të ndërhyjë qeveria, sipas tij, është ai i përmirësimit të klimës së biznesit. Por cfarë po bën ekzekutivi me këtë? Ministri Ahmetja u përgjigj:

“Këtu është thelbi i diskutimit. Fasonët na japin një indicie për të arritur tek modeli ekonomik që duam të arrijmë. Shqipëria ka konsumuar rritjen natyrale dhe tani mungon prodhimi vendas që të drejtojë tek punësimi vendas për të sjellë eksport dhe për të sjellë valutat e huaja, euro dhe dollarë në treg dhe për të kaluar në atë që unë do ta quaja revolucioni ekonomik, niveli tjetër i ekonomisë, që ekonomia të nisë të modernizohet. Fatkeqësisht ekonomia jonë nuk është ekonomi moderne. Është e bazuar akoma në nivele sipërmarrjeje apo përpunimi shumë modeste. Gjëja e parë që duhet të bëjë Qeveria është se duhet të largohet nga të qënit pengesë në këtë revolucion. Gjetëm një qeverisje dhe një administratë që i detyrohej biznesit mbi 700 mln dollarë dhe një pjesë e kredive të këqia lidhet me këto borxhe të shtetit ndaj biznesit. Gjëja e parë që duhet të bëjë qeveria është kthimi i klimës së biznesit dhe politikat për këtë kanë nisur të japin frutet e veta”, deklaroi Ahmetaj, duke përmendur më pas Këshilllin Ekonomik Kombëtar si një organizëm i ngritur pranë qeverisë  ku biznesi mund të japë vërejtjet dhe propozimet e veta.

Megjithatë, biznesi vazhdon të jetë mosbesues. Për përfaqësuesin e biznesit në panel, Nikolin Jaka problemi më i madhe i ekonomisë shqiptare është informalizmi dhe sjellja e administratës karshi sipërmarrjes.

“Pavarësisht frymës pozitive të Kryeministrit dhe pjesës më të madhe të ministrave, në administratë është e njëjta situatë që ka qenë. Janë të njëjtët njerëz dhe më e keqja është se edhe njerëzit e rinj infektohen nga të vjetrit në administratë”, deklaroi ai, duke sjellë edhe një shembull abuzimi të tatimeve që kishin vendosur një gjobë në proporcion të zhdrejtë.

“Problemi më i madh është informalitetit, biznesi ka problem informalitetin”, tha Jaka.

Cilët janë sektorët prioritarë të qeverisë? Ministri Ahmetaj rënditi disa, por ajo që është më e rëndësishme, tha ai, është rritja e prodhimit vendas dhe uljes së deficitit import-eksport.
“Turizmi është një nga sektorët që drejtpërdrejtë ka efekte zinxhirë në ekonomi. Qeveria është duke skanuar pronësinë e tokës në bregdet ku ka shumë mangësi në dokumentacione, ka mbivendosje, ka paqartësi, ku nuk ka përfunduar akoma ligji 7501. Aktualisht jemi duke studiuar se cfarë turizmi do të thithim. Ne ftojmë biznesin të investojë në bujqësi, në sektorin e përpunimit të produkteve bujqësore. Por do modernizojmë industrinë e naftës dhe shpresojmë të rritet me disa herë prodhimi, po ashtu pse të mos punohet edhe sa i përket përpunimit të naftës”, tha ministri Ahmetaj.

Pikërisht tek ky sektor, Ardian Civici vlerësoi një anomali faktin që eksportojmë naftë brutio dhe më pas importojmë naftë të rafinuar shumë herë më të shtrenjtë.

“Do të synojmë që të prodhojmë të gjithë ciklin këtu brenda, të prodhojmë dhe të rafinojmë naftën sepse do të jetë një vlerë që do të ruhet në vend, nuk do të dalin para jashtë për të importuar naftën”, u përgjigj ministri Ahmetaj.

Në fund të fjalës Ministri tha se objektivi i qeverisë është që në fund të mandatit të parë ekonomia e vendit të ketë një rritje prej të paktën 5 përqindësh, si e vetmja mënyrë që të ndjehet tek xhepat dhe mirëqënia e qytetarëve. 

Top Channel