Seanca parlamentare, që zgjati deri në orët e para të mëngjesit të së premtes, kulmoi me debatet e forta për trafikun e drogës, për të cilin u miratua ngritja e komisionit hetimor parlamentar.

Të djathtët, megjithëse konfirmuan pjesëmarrjen në komisionin hetimor parlamentar për këtë çështje, nuk e votuan pasi kërkuan hetim më të gjerë për drogën sesa akuzat për implikimin e infrastrukturës ushtarake. Në këtë pikë, opozita, që pati sërish për protagonist kryesor ish-kryeministrin Berisha, ka bërë një ripozicionim të qëndrimit.

“Nuk akuzojmë asnjëherë Forcat e Armatosura, por qeverinë që bën drogën. Nuk akuzojmë oficerët tanë, është padrinoja që është si fije e kalbur bari kur një gazetari i hidhet koka e dhisë tek dera e shtepisë”, deklaroi Berisha.

“Atë ditë që ka dalë kjo çështje janë zënë në gojë dy elementë: ushtarët dhe baza ushtarake. Kjo ishte shumë tronditëse. Sot elementë dalin qeveria dhe ish-reparte ushtarake apo ish-baza”, replikoi nga PS, kreu i grupit Gramoz Ruçi.

“Pasi e shndërruat vendin në një Siçili, po krijoni komisionin, o të mjerë, o skllevër. Komisionin po e krijoni për fustanin e Mimi Kodhelit, jo për të vërtetën. Zonja ministre kishte shkruar se, në tetor jam informuar nga krerët e ushtrisë. Aty janë dokumentet, do të dalin”, vijoi akuzat ish-kryeministri.

“Në këtë vend, nga kjo foltore, fjalët që kemi lançuar ndaj njëri-tjetrit kanë qenë se Shqipëria është vendi i drogës, trafikut e prostitucionit. Nuk është Shqipëria as kultivuese dhe as konsumatore e drogës. Nëse është një fenomen i tillë në një fshat të caktuar dhe që bëhet nga individë të caktuar, atëherë janë ata por jo Shqipëria”, replikoi sërish Ruçi.

Megjithëse akuzoi për kthimin e Shqipërisë në një vend të drogës, ish-kryeministri Berisha u shpreh kundër njoftimit të ambasadës amerikane që shtetasit e saj të mos udhëtojnë në Lazarat. “Absolutisht, për mua është një nga vendet më të sigurtë për qytetarët amerikanë. Por nuk jam unë që e përcaktoj atë. Paralajmerimin duhet ta marrim me seriozitetin më absolut”, tha Berisha.

Vëmendjen më të madhe të opozitës, që këtë seancë theu vendimin për marrëdhënie të kushtëzuar me Kuvendin, duke ndenjur deri në përfundim të saj, e mori debati për trafikun e drogës dhe ndryshimet ne ligjin per ILDKP-ne.

Top Channel