Kerry akuzon Moskën për destabilitet

25/04/2014 00:00

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry ka akuzuar Rusinë për mashtrim dhe destabilitet në Ukrainën Lindore.

Në një deklaratë me tone të ashpra, Kerry i ka bërë thirrje Moskës të ndihmojë në uljen e tensioneve, në rast të kundërt do të përballet me sanksione të mëtejshme.

Më herët Rusia i bëri thirrje SHBA-ve të ndalojnë dhunën e Kievit ndaj separatistëve pro-rusë. Rusia urdhëroi manovra të reja ushtarake në pranë kufirit me Ukrainën.

Sekretari amerikan i Shtetit vlerësoi autoritetet e përkohshme në Kiev, duke thënë se po tregojnë pjekuri në zbatimin e marrëveshjes së arritur më 17 Prill në Gjenevë për ulur tensionet.

“Asnjë prej zyrtarëve rusë nuk e ka marrë mundimit t’i bëjë thirrje separatistëve të lirojnë ndërtesat qeveritarë dhe të lënë armët”, deklaroi Kerry.

Ai akuzoi mediat ruse për reklamën që po i bëhet ‘fantazive’ të Presidentit Putin për ngjarjet në Ukrainë dhe nëse Moska nuk do të ndryshonte qëndrim atëherë SHBA-të janë të gatshme të vendosin sanksione të mëtejshme.

Moska ka urdhëruar stërvitje të reja ushtarake në kufirin e saj me Ukrainën, në kundërpërgjigje ndaj operacionit të Kievit kundër separatistëve pro-rusë.

Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, tha se Moska është “detyruar të reagojë”, pasi komandot ukrainase mësynë bastionin e separatistëve, në Sloviansk.

I cituar nga agjencia e lajmeve Interfax, Shoigu është shprehur: “Nëse kjo makinë ushtarake nuk ndalet, atëherë do të kemi një numër më të madh viktimash dhe të plagosurish. Jemi të detyruar të reagojmë ndaj një zhvillimi kaq të rëndësishëm të situatës”.

Zëdhënësi i presidentit rus, Vladimir Putin, ka deklaruar gjatë së enjtes se ngjarjet në Ukrainë, ku forcat qeveritare kanë ndërmarrë operacione ndaj separatistëve, ngrenë pyetje serioze mbi legjitimitetin e zgjedhjeve presidenciale të Ukrainës, të përcaktuara për më 25 Maj.

Top Channel