Janë orët e fundit të fushatës për zgjedhjet e kësaj të diele në Maqedoni. Mbahen zgjedhjet parlamentare, atje ku është fokusuar edhe vëmendja kryesore, por edhe raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale.

Dy partitë shqiptare BDI dhe PDSH po zhvillojnë takimet e fundit elektorale, pas pak orësh do të nisi edhe heshtja zgjedhore.

Bujar Osmani nga BDI-ja dhe Bekim Fazli nga PDSH-ja kanë qenë në një lidhje me “Revistën Televizive të Mbrëmjes” për të diskutuar mbi zgjedhjet e ditës së diel.

Pandi Gjata: Po e nis me një për Bujar Osmanin. Si po mbyllet kjo fushatë dhe çfarë po ofron BDI-ja për shqiptarët?

Bujar Osmani: Ne kemi pasur një fushatë pozitive, kemi pasur një platformë konkrete për zhvillim më të mirë dhe më të fortë drejt Europës dhe NATO-s. Platforma jonë përmban diku te 1081 projekte me konstrukt financiar dhe afat kohorë të përcaktuar. Gjatë kësaj kohe kemi bërë një fushatë derë më dera për ë njohur çdo qytetarë me platformën tonë. Kemi 3 shtylla të platformës, themeli i saj është pozicioni i fortë i shqiptarëve në Maqedoni. Shtylla e dytë e platformës tonë është progresi ekonomik dhe shtylla e tretë është integrimi në NATO dhe BE. Diku te 150 mijë qytetarë kanë dëgjuar platformën tonë.  

Pandi Gjata: Bekim çfarë ofron PDSH-ja për shqiptarët?

Bekim Fazli: Prej 10 vitesh BDI-ja është në pushtet dhe fatkeqësisht gjendja e shqiptarëve është shumë e rëndë. Në këtë periudhë të kohës kanë pasur shanse të rregullojnë çështjen e shqiptarëve, por nuk kanë bërë gjë, tani dalin dhe premtojnë mira projekte, por realiteti është shumë i hidhur. Në raundin e parë të zgjedhjeve kishin kandidatin u ballafaquam me një terror të paparë nga ana e BDI. Ata nuk lanë asnjë shqiptarë pa kërcënuar as nazistët nuk kanë bërë diçka të tillë ndaj hebrenjve. Kjo situatë ka vazhduar edhe gjatë këtyre ditëve. Çdo i punësuar është kërcënuar me largim nga puna nëse nuk do të votojë BDI-në. Ne kemi platformën tonë me 2 shtylla kryesore. E para është vendimmarrja me konsensus në shtet dhe pjesa e shqiptarëve në ndarjen e buxhetit. Kjo platformë ka përkrahjen e të gjithë shqiptarëve dhe jam i bindur se do të dalim fitimtarë. Shqiptarëve u mungon liria, prandaj edhe motoja jonë është “Për Liri”.

Pandi Gjata: E njëjta pyetje për të dy. Sa deputet synon të marrë BDI-ja?

Bujar Osmani: Këtë e ka në dorë populli, por dallimi mes nesh dhe PDSH-së është se ne i nënshtrohemi vullnetit të popullit, i cili do të përcaktojë këto zgjedhje. PDSH-ja thotë se edhe pa asnjë deputet do të jenë në qeveri pasi kanë përkrahje nga struktura të tjera të Maqedonisë. Sondazhet tregojnë se populli është në anën tonë dhe e ka kuptuar, pasi ne kemi dalë me një dokument të shkruar. Themi nëse ata kanë dalë me 1000 mijë projekte ne dalim me 1200 të tillë që të kenë mundësi qytetarët që të krahasojnë. Ne në këtë fushatë nuk kemi konkurentë të denjë. Dalim për të shpjeguar platformën. Sondazhet e djeshme treguan se PDI do të marrë diku te 19-20 mandate dhe PDSH 5-6 mandate.

Pandi Gjata: Bekim, sa deputet parashikon sa deputet parashikon PDSH-ja?

Bekim Fazli:  Nëse do të kemi zgjedhje të lira atëherë ne do të fitojmë dhe kjo do të ndodhë ditën e diel. BDI-ja nuk është parti që përfaqëson shqiptarët pasi është e njohur që në listat e saj ka maqedonas dhe boshnjakë. Parashikojmë diku te 15 deputet, më shumë se BDI-ja. Gjithçka është nën kontrollin e tyre pasi jemi në terr informativ, nuk ka shoqëri civile, nuk ka shoqata joqeveritare, nuk ka institucione që merren me anketa, ata që i bëjnë janë pjesë e BDI-së. E vërtetë është se në 10 vite të qeverisjes së tyre shqiptarët kanë parë vetëm ditë të zeza. Të gjithë atë kapital që ja dhanë shqiptarët e shfrytëzuan për pasurimin e tyre personal. PDSH do të kujdeset që shqiptarëve t’i kthehet intensiteti.

Top Channel