Adnan Januzaj, ende shpresa?!

25/04/2014 00:00

Pas shumë muajsh heshtje Adnan Januzaj e mori vendimin për të ardhmen e tij. Por ‘po’-ja që i dha Belgjikës ka bërë të pakënaqur mijëra tifozë shqiptarë, të cilët nëpërmjet rrjeteve sociale u munduan t’i mbushnin mendjen 19-vjeçarit të luante për kombëtaren kuq e zi. Shumë prej tyre nuk i kanë kursyer fyerjet dhe sharjet ndaj talentit të Manchester.

Fushatës “Adnan thuaj po Shqipërisë”, e cila nisi në momentin kur Sir Alex Ferguson foli me superlativa për talentin nga Kosova, u bashkuan shumë shqiptarë, disa prej tyre e shndërruan në parullë dhe e shfaqën në stadiumin “Old Trafford” gjatë ndeshjes Manchester United-Newcastle.

Të vetmit që janë gëzuar nga ky vendim kanë qenë tifozët belgë, kombëtarja e të cilëve do të luaj në “Brazil 2014”, së bashku me ta është edhe një numër i vogël tifozësh shqiptarë, të cilët i kujtojnë bashkëkombësve që ky është vetëm sport dhe asgjë më shumë.

Alban Bushi, menaxheri i Kombëtares shqiptare në një intervistë për Top Channel është shprehur se ka ende mundësi që 19-vjeçari të kthehet një ditë dhe të luaj me Kosovën ose me Shqipërinë.

TCH: Si menaxher i kombëtares duam mendimin tuaj rreth vendimit të fundit të Januzajt?  

Alban Bushi: Ai mori një vendim që respektohet nga të gjithë ne. Mendoj që është një vendim i drejtë, pasi Belgjika merr pjesë në Kampionatin Botëror dhe duke qenë se është në moshë të re ka dëshirë të provojë këtë eksperiencë. Por në një të ardhme shumë të afërt ai mund të ndryshojë mendje dhe të luaj me Kosovën ose me Shqipërinë, pasi ka të drejtë.

TCH: Mos ndoshta ishte një neglizhencë e FSHF-së?

Alban Bushi: Jo nuk është një neglizhencë, pasi FSHF-ja ka kohë që e ka kontaktuar, madje jo vetëm atë, por edhe lojtarë të tjerë. Redi Jupi ka pasur kontakte me babain e tij, por përgjigjet i kemi marrë indirekte, por ai e kishte marrë mesazhin nga ne.

TCH: A mendoni se pas Botërorit ai do të ndryshojë mendim?

Alban Bushi: Unë kam shumë besim se ai do të ndryshojë mendim një ditë dhe do të luaj për kombin e tij, kam besim. Është kënaqësi të luash me kombin tënd. Ai është i ri dhe më pas do ta kuptojë.

Top Channel