Dita e premte është dita e fundit e fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale, që mbahen më 27 Prill në Maqedoni.

BDI-ja ka zgjedhur Shkupin për ta përmbyllur fushatën, PDSH-ja Tetovën, RDK-ja Gostivarin, VMRO-DPMNE-ja tubimin e fundit do ta mbajë në Veles, kurse  LSDM-ja në Strumicë. Të shtunën hyn në fuqi heshtja zgjedhore, e cila zgjat deri ditën e diel, kur të mbyllet procesi i votimit.

Bashkimi Demokratik për Integrim, përmes shefit të shtabit zgjedhor, Abdilaqim Ademi, ka ftuar shqiptarët që të dielën të votojnë për këtë parti dhe të bojkotojnë balotazhin për presidentin e vendit.

“Ftoj shqiptarët, që më 27 Prill të votojnë për zgjedhjet parlamentare. Të dalin dhe të votojnë, sepse ne iu garantojmë me siguri, që dita e zgjedhjeve do të jetë e qetë, do të jetë ditë historike, ashtu siç ishin të qeta ditët e fushatës parazgjedhore”, tha Abdilaqim Ademi, shef i shtabit zgjedhor të BDI-së.

Në ditën e fundit të fushatës elektorale, të rinjtë e Partisë Demokratike Shqiptare kanë vendosur figurën e kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, pranë bustit të sundimtarit serb, Car Dushanit, në sheshin e Shkupit. Rinia e PDSH-së kërkoi përkrahje më 27 Prill, për ta dënuar politikën e Ahmetit dhe BDI-së.

“Ali Ahmeti ka një meritë të veçantë, që – më në fund – në Shkup u ngrit edhe statuja e Car Dushanit. Prandaj, figura e këtij bosi, nga sot e tutje, do të qëndrojë përkrah Car Dushanit. RDSH u bën apel gjithë të rinjve dhe gjithë shqiptarëve, që ditën e diel, më 27 Prill, me votën tuaj ta dënojmë politikën e këtij realizatori të “Skopje 2014”, Aliut dhe BDI-së”, u shpreh Muhamed Rustemi, kryetar i Rinisë Demokratike Shqiptare.

Të dielën, 1 milionë e 780 mijë shtetas të Maqedonisë me të drejtë vote do të kenë mundësi të votojnë për përbërjen e re të Parlamentit dhe presidentin e ardhshëm të vendit. Balotazhi për kryetarin e Maqedonisë zhvillohet mes dy kandidatëve maqedonas, Gjorgje Ivanov nga VMRO-DPMNE-ja dhe Stevo Pendarovski nga LSDM-ja.

Top Channel