Në Maqedoni u votua sot për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, si dhe ato për raundin e dytë që do të zgjedhë presidentin e ri të vendit.

Sipas të dhënave paraprake duket se shqiptarët, ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, nuk kanë mundur të sigurojnë asnjë nga 3 deputetet e diasporës.

Nga Shkupi korespondenti i Top Channel, Rijad Murati ka raportuar se procesi i votimit është mbyllur normalisht rreth orës 19:00 dhe se pjesëmarrja në votime ishte rreth 53%.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve e ka cilësuar procesin e votimin si të rregullt, ndërsa ka pasur kontestime nga LSDM-ja, partia udhëheqëse e opozitës.

Kjo parti ka thënë se nuk do ta njohë procesin për shkak se ka pasur manipulime të shumta nga partia e kryeministrit Nikolla Gruevski, VMRO-DPMNE.

LSDM-ja ka deklaruar se Gruevski ka përdorur policinë për presion ndaj votuesve. Ndërkohë që VMRO-DPMNE ka thënë se akuzat vijnë si pasojë e rezultatit të dobët në zgjedhje të LSDM, duke shtuar se procesi i votimit u zhvillua normalisht dhe pa probleme.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve pritet të prononcohet pas mesnate.

Ndërkohë që në zgjedhjet presidenciale kanë votuar rreth 45%, duke kaluar limitin.

***

Në Maqedoni po zhvillohen zgjedhjet parlamentare dhe raundi i dytë i Presidencialeve.

1 milion e 780 mijë qytetarë me të drejtë vote, nga ora 7 e mëngjesit, i janë drejtuar qendrave të votimit për të zgjedhur përbërjen e re parlamentare dhe kryetarin e ardhshëm të vendit.

Në garën për 123 vende në Parlament janë 1,402 kandidatë.

Përballja më e fortë mes partive shqiptare zhvillohet në njësinë e gjashtë zgjedhore, ku shumica e votuesve janë shqiptarë.

Bartës të listave për deputetë, në këtë njësi, janë liderët e partive politike, Ali Ahmeti i BDI-së, Menduh Thaçi i PDSH-së, si dhe Rufi Osmani i RDK-së.

Në garën presidenciale, në balotazh, qytetarët do të zgjedhin kryetarin e ri të vendin mes presidentit aktual Gjorgje Ivanov, i kandiduar edhe për një mandat nga VMRO-DPMNE, dhe Stevo Pendarovskit, nga LSDM-ja.

Partia e Ali Ahmetit, BDI, ka ftuar shqiptarët të bojkotojnë zgjedhjet presidenciale. Procesi zgjedhor po monitorohet nga mbi 9000 vëzhgues vendorë dhe rreth 490 vëzhgues të huaj.

Të shtunën ka votuar diaspora, por edhe pjesëtarët e armatës dhe personat e burgosur në Maqedoni.

Top Channel