Politikanët shqiptarë duhet ta kushtëzojnë pjesëmarrjen në qeverinë e ardhshme me platformë dhe me ndarje konkrete të pozitave kyçe.

Kështu vlerëson analisti Sefer Tahiri. Ai thotë se, për të qenë faktor serioz në ekzekutiv, partia që do të përfaqësojë shqiptarët duhet të kërkojnë nga partneri maqedonas, që vendimet të merren me konsensus.

“Çështja e konsensualitetit duhet të kërkohet te vendimmarrja politike, konkretisht në Parlamentin e Maqedonisë dhe në Qeveri. Vëtem atëherë, kur do të arrihet ky konsensualitet, shqiptarët do të jenë faktor serioz politik dhe do të kenë artikulim më të mirë të kërkesave të tyre politike, dhe këto kërkesa do të bëhen realitet”, tha Sefer Tahiri, analist politik.

Analisti Kim Mehmeti vlerëson se partia shqiptare në qeverinë e ardhshme duhet të kërkojë ndryshime kushtetuese, për të ndërprerë majorizimin e shqiptarëve gjatë vendimmarrjes në Qeveri dhe Parlament.

“Shqiptarët, nëse duhet të luftojnë diçka dhe të bojkotojnë diçka, duhet të bojkotojnë sistemin në Maqedoni, që lejon majorizimin e tyre në sjelljen dhe miratimin e buxhetit, në zgjedhjen e udhëheqësve së shtetit. Kjo loja me bojkotin e presidentit e BDI-së ka më shumë për qëllim të fshehë paaftësinë e partive politike, që të faktorizojnë politikisht shqiptarët në këtë shtet”, theksoi Kim Mehmeti, analist.

Gjatë fushatës elektorale, që u mbyll të shtunën, partitë shqiptare kanë polemizuar në distancë për pjesëmarrjen në qeveri. BDI-ja e Ali Ahmetit kërkon që të respektohet parimi, që partitë fituese në bllokun maqedonas dhe atë shqiptar të formojnë qeverinë e ardhshme.

Por, lideri i PDSH-së Menduh Thaçi ka deklaruar në mënyrë të prerë se, pas 27 Prillit, subjekti që drejton ai do të përfaqësojë shqiptarët në ekzekutiv. Sipas Thaçit, BDI-ja e Ahmetit nuk mund t’i përfaqësojë shqiptarët, sepse është parti qytetare me anëtarësi të përzier entike.

Top Channel