“Unë jam Toskan, as që e njoh Shqipërinë”

27/04/2014 00:00

Rasti i një shqiptari që është larguar në moshën 3-vjeçare nga vendi ynë dhe që prej asaj kohe ka jetuar në Itali pa shkelur më në vendin e tij të lindjes, ka hapur një debat të gjërë publik, madje dhe politik në vendin matanë Adriatikut.

21-vjeçari Romino Velku jeton prej 18 vitesh në Luka në rajonin e Toskanës. U largua së bashku me babain dhe nënën dhe ka një vëlla që ka lindur Toskana.

Por ndërsa pjesëtarët e tjerë të familjes së tij nuk kanë asnjë problem me dokumentacionin, Romino rrezikon të rikthehet në Shqipëri. Ditë më parë ai është arrestuar nga policia italiane dhe mbahet në qeli në pritje të riatdhesimit, ashtu si qindra-mijëra emigrantë të tjerë të paligjshëm.

Për faj të adoleshencës së trazuar atij nuk mund t’i rinovohet leja e qëndrimit. Në “karrierën e tij prej krimineli” ai është dënuar me 2 vjet burg për një vjedhje dhe një grabitje.

“Është e vërtetë që kam grabitur, që kam bërë gjëra të gabuara, por e shlyeva detyrimin tim me 2 vite burg dhe tashmë jam i pastër. Nëse më dërgojnë në Shqipëri më dërgojnë në një vend të huaj, në një vend që unë s’e njoh. Unë jam italian!”, thotë ai për mediat italiane.

Ai është rritur në Itali, është shkolluar në sistemin arsimor italian, të fejuarën e ka italiane dhe rrugët e jetës e kanë shkëputur nga shqiptarët në emigrim dhe nga vetë Shqipëria.

Për të fituar betejën e tij me drejtësinë italiane, Romino ka marrë një avokate e cila thotë: “Vendimi për ekstradimin e tij në Shqipëri shkel ligjet italiane, sidomos një dekret të vitit 1998 që thotë se për të tilla vendime duhet të kihen parasysh edhe lidhjet familjare dhe rrethana të tjera”.

Ndër këto rrethana është edhe adoleshenca e tij e vështirë, larg prindërve të divorcuar. Nëna e tij la Italinë për t’u transferuar në Suedi me të dashurin, ndërsa i ati vite më parë lëvizi drejt Gjermanisë.

Rasti i tij ka tërhequr vëmendjen e medias dhe politikës. Deputeti i majtë, Federico Gelli thotë se do ta ngrejë cështjen në parlament dhe nëse do të jetë e nevojshme do të informojë drejtpërdrejtë edhe vetë Kryeministrin Matteo Renzi.

“Ekstradimi i këtij djaloshi në Shqipëri është një absurditet. Ai jeton në Toskana që prej moshës 3-vjeçare dhe as që e njeh vendin e tij të lindjes. Kuptoj që ka rregulla për emigrantët, por përtej këtyre rregullave duhet të shohim edhe anën njerëzore. Ronny është italian”, deklaroi Federico Gelli.

Top Channel