Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoni ka dalë me rezultatet e para për zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe ka shpalosur numrin e mandateve që kanë fituar partitë politike në zgjedhjet e së dielës.

Partia maqedonase VMRO-DPMNE e Nikolla Gruevskit është fituese e zgjedhjeve me 61 vende të siguruara në Parlament, kurse në bllokun shqiptar BDI-ja ka fituar 19 mandate deputetësh.

“Koalicioni VMRO-DPMNE në nivelin republikan dhe tre njësitë zgjedhore të diasporës ka fituar 61 deputetë, koalicionit i LSDM-së ka fituar 34, BDI 19, PDSH 7, koaliconit GROM 1 deputet dhe RDK-ja 1 deputet”, deklaroi Subhi Jakupi, nënkryetar i KSZH-së.

Në përbërjen e re parlamentare, shqiptarët do të kenë 27 vende apo dy me tepër se në përbërjen e kaluar. BDI-ja e Ahmetit e ka rritur me katër numrin e deputetëve, kurse PDSH-ja e Thaçit do të ketë një mandat më pak.

“Kjo është një fitore e madhe për Republikën e Maqedonisë sepse BDI ka një program që ky vend të del nga status kuoja dhe të bëjë hapat e duhur në drejtim të pritjes së madhe që ky vend sa më parë të anëtarësohet në NATO”, deklaroi Ahmeti.

“Rezultati është i kënaqshëm për PDSH-në, kurse BDI-së i them të mos festojë kot se nuk kam ndërmend  t’ua pranoj rezultatin, një rezultat i cili vazhdon t’i ngjajë Koresë Veriore. Pra, rezultatin nuk ua pranoj. Janë 57 mijë vota të vjedhura dhe të fituara me dhunë nga ana e BDI-së. Sipas të gjitha gjasave, PDSH do të ketë 8 ose 9 deputet të mjaftueshëm për të vazhduar bisedimet për hyrje në qeveri”, deklaroi nga ana tjetër Menduh Thaçi.

Ndërkaq, në zgjedhjet presidenciale të ditës së diel, qytetarët e Maqedonisë për të dytën herë i kanë dhënë mbështetjen presidentit Gjorgje Ivanov, i cili këtë post do ta drejtojë edhe në pesë vitet e ardhshme. Ivanov në këto zgjedhje fitoi me 533.000 vota, apo 135 mijë më shumë se kandidati i LSDM-së opozitare, Stevo Pendarovski.

Top Channel