Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve në Maqedoni, Nikolla
Rilkovski, nuk e ka komentuar vendimin e partisë opozitare LSDM, e cila
ka vendosur të mos i njohë zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të
27 prillit.

Sipas Rilkovskit, zgjedhjet e së dielës në aspektin organizativ dhe teknik kanë qenë të suksesshme, megjithatë ai tha se, vlerësimin përfundimtarë për zgjedhjet, KSHZ-ja do të jepet pasi të skadojë afati 48 orësh për ankesa.

“Në këtë moment KSHZ-ja nuk mund të dale me nje vlerësim zyrtar, pasi duhet të shohim nëse partitë politike do ta shfrytëzojnë të drejtën e ankesave në 48 orët e ardhshme, që të mund të kemi pasqyrë të qartë se si u zhvilluan zgjedhjet. Vetëm pasi të vendosim për ankesat, mund të japim vlerësimin përfundimtar. Sa i përket vendimit të LSDM-së, kjo është çështje politike dhe nuk dua ta komentoj”, u shpreh Nikolla Rilkovski, kryetar i KSHZ-së.

Partia më e madhe maqedonase në opozitë Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë, menjëherë pas mbylljes së procesit zgjedhor, njoftoi se nuk i njeh rezultatet zgjedhore, për shkak manipulimeve të shumta dhe presioneve ndaj votuesve nga pushteti i Kryeministrit Nikola Gruevskin. Kryetari i LSDM-së Zoran Zaev, kërkoi formimin e një qeverie teknike e cila do të organizojë zgjedhje të lira dhe të drejta.

“Kërkojmë urgjentisht formimin e Qeverisë teknike e cila të mundësoje zbatimin e zgjedhjeve te ndershme dhe normale në vendin tonë. Pushteti ka vjedhur votat. Nuk ka nen të ligjit zgjedhor që nuk e ka thyer. Në këto zgjedhje Qeveria kontrolloi popullin e saj. Pa zgjedhje te ndershme nuk ka demokraci. Pa demokraci nuk ka prosperitet në Maqedoni. Nuk ndalemi. Beteja jonë vazhdon”, u shpreh Zaev.
 
Ndryshe nga LSDM-ja opozitare, partia maqedonase në pushtet VMRO-DPMNE, i ka cilësuar zgjedhjet e së dielës demokratike dhe korrekte.
 
“Republika e Maqedonisë me këto zgjedhje është shembull pozitiv për të gjithë rajonin. Zgjedhjet e së dielës mund të themi se ishin më të mira se zgjedhjet skandinave në disa vende të caktuara. Kjo është fitore për Maqedoninë dhe qytetarët e saj, por nga ana tjetër është humbje për të gjithë ata që tentuan të bëjnë manipulime apo të krijojnë incidente”, thotë Antonio Milloshovski, nga VMRO-DPMNE.
Procesin zgjedhor nuk e njeh as partia shqiptare në opozitë Rilindja Demokratike Kombëtare, e cila në zgjedhjet e së dielës shënoi rezultate të dobëta.

Top Channel