Seuli dënon sulmin verbal të Penianit

28/04/2014 00:00

Seuli zyrtar dënoi ashpër sulmin verbal të Penianit ndaj presidentes koreano-jugore, të cilën vendi komunist e krahasoi me një prostitutë.

Në komentet e bëra të djelën, Korea e Veriut e quajti kryetaren e shtetit fqinj “një grua shoqërimi”, duke iu referuar skllaveve të seksit gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Akuzat vazhdonin duke u rënduar me pretendimin se ajo i shërbente qejfeve të tutorit të vet, presidentit amerikan Barack Obama, i cili vizitoi Seulin javën e kaluar.

Gjatë ndalesës së tij, Obama dhe presidentja Park i dërguan Penianit një paralajmërim të fortë për të mos e kryer testin e katërt bërthamor.

Paralajmërimi i tyre erdhi pas raportimeve për një ringjallje të aktiviteteve në impiantin bërthamor të Koresë së Veriut.

Në një deklaratë, Komiteti për Unifikimin Paqësor të Koresë, me seli në Penian, e cilësonte sonjën Park si një skllave të “tutorit të saj të plotfuqishëm”, duke iu referuar kështu zotit Obama.

“Zonja Park është një lajkatare e keqe dhe tradhtare. Një shërbyese e ndyrë e Shteteve të Bashkuara dhe një prostitutë e rëndomtë që shet vendin e saj”, thuhej në deklaratë.

Media shtetërore koreano-veriore kanë kryer sulme personale verbale ndaj liderëve të Jugut në shumë raste, por retorika e përdorur ndaj zonjës Park, e para presidente femër, duket se ka kaluar çdo kufi.

Të hënën, zëdhënësi i Ministrisë së Unifikimit të Seulit, Kim Eui Do i bëri thirrje Penianit që t’i përmbahet një marrëveshjeje të mëhershme për ndalimin e retorikës, duke i cilësuar deklaratat e Penianit si imorale.

Top Channel