Zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe ato presidenciale të 27 Prillit në Maqedoni janë administruar në mënyrë efikase dhe janë zhvilluar në atmosferë të qetë.

Ky është konstatimi i përgjithshëm i misionit të OSBE-ODIHR që vëzhgoi procesin zgjedhor. Megjithatë, monitoruesit ndërkombëtarë kishin vërejtje për fushatën elektorale të partisë në pushtet, për mënyrën e raportimit të mediave dhe për frikësimin e votuesve.

“Gjatë periudhës parazgjedhore nuk u plotësuan detyrimet kryesore ndaj OSBE-së, përfshirë këtu ndarjen e shtetit nga partia, krijimin e kushteve të njëjta për garë, pavarësinë e mediave dhe saktësinë e listës zgjedhore. Këto çështje kanë njollosur ditën e zgjedhjeve që përmbushi detyrimet dhe kaloi në atmosferë të qetë”, ka deklaruar ambasadori Geert Hinrich Ahrens.

Vëzhguesit ndërkombëtarë kanë shprehur keqardhje për vendimin e partisë maqedonase në opozitë, LSDM, për të mos pranuar rezultatin zgjedhor.

“Ne asnjëherë nuk inkurajojnë politikën e bojkotit kur bëhet fjalë për zgjedhje. Me keqardhje kemi dëgjuar se partia kryesore opozitare vendosi të mos i njohë rezultatet zgjedhore. Ftojmë të gjithë politikanët të punojnë në mënyrë konstruktive dhe të bashkëpunojnë, për të garantuar zhvillimin normal të fazës pas zgjedhore dhe për të mundësuar fillim të rregullt të mandatit të ri të parlamentit”, ka deklaruar koordinatorja Christine Muttonen.

Misioni i OSBE-ODIHR, gjatë monitorimit të mediave ka vërejtur anim të dukshëm të shumicës së mediave në favor të partisë në pushtet dhe kandidatit të saj për president, si dhe raportim negativ për opozitën.

Top Channel