Rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të kësaj të diele në Maqedoni nxorën fitues nga kampi maqedonas VMRO, që siguroi 64 mandate dhe nga kampi shqiptar BDI me 19 mandate deputetësh në Parlamentin e ri.

Dy partitë opozitare maqedonase kanë ngritur akuza për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, por ndërkombëtarët e vlerësuan procesin e kësaj të diele.

Ermira Mehmeti, deputete e BDI-së ishte në një lidhje me ‘Skype’ në ‘Revistën Televizive të Mbrëmjes’ për të komentuar rezultatin e zgjedhjeve si edhe për të folur në lidhje me koalicionin që do të formojë qeverinë e re.

Pandi Gjata: VMRO-DPMNE dhe BDI a kanë nisur negociatat për formimin e qeverisë së re?

Ermira Mehmeti: Kjo ishte një fitore shumë e madhe për BDI-në dhe kjo për ne do të thotë shumë. Në lidhje me negociatat është akoma herët pasi edhe afatet ligjore mbi ankesat ende nuk kanë përfunduar, kështu që procesi nuk mund të llogaritet i mbyllur.

Pandi Gjata: Menjëherë pas rezultateve të para, pash edhe gatishmërinë e zyrtarëve të PDSH-së për të qenë partnerë të qeverisë edhe pse kanë deputet më pak se BDI.


Ermira Mehmeti:
Kjo nuk është diçka e re, pasi gjatë gjithë fushatës parazgjedhore ne kemi dëgjuar edhe nga lideri i kësaj partie që ka dhënë garanci të llojeve të ndryshme te votuesit që do të jenë pjesë e qeverisë. Madje ata as nuk i kanë fshehur takimet që kanë pasur me zyrtarë të VMRO-së. Tashmë në Maqedoni ka një rregull të pashkruar, e cila thotë se qeverinë e përbëjnë partitë fituese, ky është një fakt, ndërsa tjetri BDI ka marrë në këto zgjedhje mbi 150 mijë vota krahasuar  me 65 mijë vota të PDSH-së, një dallim i tillë nuk mund të përjashtojë nga negociatat BDI-në.

Pandi Gjata: Partneri shqiptarë që ka zgjedhur ndër vite Kryeministri Gruevski ka sjellë edhe problematika të tilla.

Ermira Mehmeti:
Është e qartë, koalicioni jonë me VMRO-në asnjëherë nuk ka qenë një koalicion i natyrshëm , por ka qenë i përcaktuar nga vullneti i votuesve. Ne jemi në një fazë të analizës së rezultatit zgjedhor, nëse ose pasnesër mund të kemi edhe një mbledhje kryesie, më pas do të prononcohemi edhe mbi koalicionin.

Pandi Gjata: Duke ju referuar edhe fushatës që zhvillojë BDI-ja, i mëshuat shumë fjalës konsensus, duke folur edhe për një përfaqësim më të gjerë të shqiptarëve, duke folur edhe për një prej tre posteve më të rëndësishme. Kjo qeveri e re a do të ketë detaje të tilla?

Ermira Mehmeti: Kjo fushatë do të mbahet mend pasi ishte një nga më të gjatat, rreth 5 javë. Për 3 javë ne folëm kundër procesit të zgjedhjeve presidenciale dhe më pas afirmuam zgjedhjet parlamentare . Ne kemi folur për një program gjithëpërfshirës , me mbi 1 mijë projekte. Këto elemente flasin për një cilësi të re të trajtimit të politik-bërjes në Maqedoni nga partitë shqiptare. Duke pasur parasysh këto elemente kjo fushatë ishte konstruktive, e cila solli në pah përcaktimin e partive shqiptare për të dalë nga ato tema thjesht dhe vetëm etnike.

Pandi Gjata: Shumë prej këtyre çështjeve kam përshtypjen se do t’i mëshoni për ti përkthyer në atë dokumentin e bashkëqeverisjes.

Ermira Mehmeti: Idea jonë ka qenë të afirmojmë faktin se në Maqedoni ka ardhur koha që edhe maqedonasit të dëshmojnë një lloj luajaliteti ndaj komunitetit shqiptar. Prej 20 viteve shqiptarët nuk kanë pasur problem të votojnë për një maqedonas, pse kjo do të ishte aq tragjike nëse do të ndodhte e kundërta. Ne synojmë të vazhdojmë këtë politik të konsensusit, duke argumentuar se vërtet bëhet fjalë për një ndryshim cilësor në politik bërjen tonë dhe jo për shantazhe siç pretendojnë disa qarqe etnike maqedonase.

Top Channel