Vaibe Sula ngrihet çdo mëngjes bashkë me fëmijët. I bën gati dhe nxiton të kapë autobusin që do ta çojë atë në punë dhe të vegjëlit, vetëm 5 minuta larg saj, në çerdhen dhe kopshtin që i ka siguruar ndërmarrja ku punon.

“Jam shumë e lumtur që fëmijët i kam vetëm 2 kilometra larg punës”, thotë gruaja.

33-vjeçarja është një nga nënat me fëmijë të vegjël që punojnë në fabrikën e përpunimit të hekurit në Durrës dhe që kanë mundësi t’i kenë afër fëmijët e tyre edhe kur janë në punë. Kur solli në jetë Leonelin, që tashmë është 4 vjeç, çerdhja nuk ekzistonte ende.

“Kur linda të parin nuk ishte bërë çerdhja dhe bashkëshorti im ecte 40 minuta në këmbë dhe e mbante në krah për ta çuar tek çerdhja tjetër, pastaj unë e merrja kur kthehesha. Sakrificë e madhe”, tregon gruaja.

Por, pas disa muajsh jeta e saj ndryshoi krejtësisht. Ashtu sikurse e Florindës, e cila, megjithëse ishte mjaft e kënaqur me punën që kishte, i duhej ta braktiste pas ardhjes në jetë të vajzës pasi nuk kishte ku ta linte: “Mundësia e vetme ishte të lija punën pasi nuk kisha ku ta lija.”

Për Nekjanën, një nga nënat e tjera në fabrikë, çelja e çerdhes dhe e kopshtit ishte mundësia për të gjetur një punë. Ishte martuar herët dhe po rriste djalin, ndërkohë që nuk kishte punuar kurrë: “Nuk e çoja dot djalin në kopsht privat pasi nuk e përballoja dot.”

Megjithëse çerdhja e kopshtet janë private, nënat paguajnë me tarifa shtetërore, pjesa tjetër e shpenzimeve, rreth 70%, mbulohet nga punëdhënësi. Ndërkohë që nënat përqendrohen në punë, fëmijët kanë oraret e tyre të ushqimit, pushimit apo argëtimit: “Nëse sëmuren fëmijët, na marrin në telefon në zyrë dhe na njoftojnë.”

Nëse shumë nëna që punojnë mendohen shumë herë nëse do bëjnë një fëmijë apo dy, për Florindën nuk është aq e vështirë: “Një fëmijë të dytë e mendoj, mundësitë i kam.”

Vaibja na tregon se nuk do e merrte mundimin të mendonte për një fëmijë të dytë nëse një mundësi e tillë nuk do ekzistonte: “Për ta lënë punën është e vështirë se është e nevojshme, por nuk e di çfarë do bëja. Kur mendoj sakrificat për djalin e parë…”

33-vjeçarja punon prej 14 vitesh në këtë ndërmarrje. Që kur ishte 18 vjeç. Tashmë është nëna e dy fëmijëve që edukatorët i marrin tek oborri i punës dhe po aty i sjellin kur ajo dhe shoqet e saj përfundojnë orarin e zakonshëm. Prej 280 grave të punësuara në fabrikë, aktualisht ka rreth 20 nëna me fëmijë të vegjël.

Top Channel