SHBA, vdes në agoni i dënuari me vdekje

30/04/2014 00:00

Problemet në ekzekutimin e një dënimi me vdekje të një të burgosuri në Oklahoma të Amerikës bënë që i dënuari të vuante në agoni për 40 minuta para se të vdiste nga injeksioni vdekjeprurës.

Sipas ‘The Oklahoman’, Clayton Lockett, 38 vjeç dhe i dënuar me vdekje për vrasjen e një 19-vjeçareje në vitin 1999, u përpëlit për minuta të tëra pas injeksionit që përmbante një përzierje medikamentesh që nuk ishte përdorur kurrë më parë në shtetin e Oklahomës.

Ishte hera e parë që përdorej midazolami si pjesë e një injeksioni prej tre përbërësish, por medikamentet nuk patën efektin e dëshiruar duke i shkaktuar vuajtje të dënuarit derisa ai vdiq nga një atak në zemër.

Drejtori i burgut kërkoi shtyrjen për dy javë të ekzekutimit tjetër që ishte parashikuar, atë të Charles Warner, 46 vjeç, i dënuar për vrasjen e një foshnjeje 11-muajshe.

Ky do të ishte ekzekutimi i parë i dyfishtë në SHBA gjatë shekullit XXI dhe i pari në shtetin e Oklahomës që nga viti 1937.

Top Channel