Përse komunikimi me të panjohurit është i rëndësishëm për lumturinë tuaj

30/04/2014 00:00

Nëse keni përdorur ndonjëherë transportin publik, kjo nënkupton që i
dini rregullat. Mos krijoni kontakt pamor, qëndroni sa më larg të
mundeni nga personat e tjerë dhe mos flisni me askënd. Po sikur këto
rregullat të jenë gabim?

Shkencëtarët e sjelljeve Nicholas Epley dhe Juliana Schroeder iu afruan udhëtarëve të stacionit të trenit në një zonë të Çikagos dhe u kërkuan të thyenin rregullat.

Disa udhëtarë ranë dakord të merrnin pjesë në një eksperiment të thjeshtë gjatë rrugës me tren. Një grupi iu kërkua të flisnin me të huajin që ishte ulur pranë tyre në tren atë mëngjes. Personave të tjerë iu tha të ndiqnin rregullin e zakonshëm, pra të mos komunikonin.

Në fund të udhëtimit me tren, tek udhëtarët që folën me një të huaj, u raportua një eksperiencë më pozitive sesa tek ata që u ulën dhe qëndruan vetëm.

Nëse ideja e bisedimit me një person të rastësishëm ju mbush me shqetësim, nuk jeni të vetmit. Kur studiuesit Iplej dhe Shroeder u kërkuan udhëtarëve në të njëjtin stacion treni të parashikonin sesi do të ndiheshin nëse do i flisnin një të huaji, ata u përgjigjën se udhëtimi do t’u shkonte më mirë nëse rrinin vetëm.

Përse ishin parashikimet kaq të ndryshme nga eksperienca? Shumica e njerëzve e imagjinonin të vështirë të fillonin një bisedë. Ata vlerësuan se më pak se gjysma e udhëtarëve ulur ngjitur me ta do të dëshironin t’i flisnin. Por në fakt, asnjë person i vetëm nuk e refuzoi bisedën. Të gjitha bisedat shkuan shumë këndshëm.

Sipas një studimi të vitit 2004 të publikuar në revistën Shkenca, udhëtimi i përditshëm për të shkuar në punë, lidhet me emocionet më të pakta pozitive krahasuar me aktivitete të tjetra të përditshme.

Duke shmangur kontaktin me sy, njerëzit ndjekin një prezumim kolektiv që duket se nuk është i vërtetë. Kur një grua 40-vjeçare fillon të luajë Candy Crush Saga teksa qëndron e ulur pranë një djali që po kërkon një këngë të re, ata të dy e humbin mundësinë për t’u lidhur në një bisedë me njëri-tjetrin.

Individët dhe qeveritë shpenzojnë para për ta bërë më të këndshëm transportin urban duke investuar në gjithçka, që nga kufjet e kufizimit të zhurmave deri te ndenjëset më të gjera për t’u ulur.

Por çfarë nëse kërkimet tregojnë se udhëtimi i gjatë dhe i përditshëm bëhet më i lehtë nëse ndërveprohet me të huaj të tjerë që janë të ulur përreth nesh?

Ana pozitive e bisedimit me të huaj është se priremi të bëjmë një fytyrë më të qeshur kur takohemi me ta, duke e rezervuar anën tonë të errët dhe problematike me personat që i njohim.

Kur një prej studiueseve, Liz, ishte në gjimnaz, vuri re se i dashuri i saj, Benjamin, sillej shumë i zymtë kur ishte me të. Por kur atij i duhej të bisedonte me një të huaj apo person që njihej pak, ai bëhej më i qeshur. Të qenët i sjellshëm me të tjerët shpesh shërbente për të ngritur humorin e tij.

Një nga përfitimet e të qenët një shkencëtar sjelljesh është se kur partneri yt bën diçka të bezdisshme, mund të sjellësh dhjetëra njerëz në laborator dhe të kuptosh arsyen. Kur Liz i testoi hipotezat e saj në një eksperiment në laborator, ajo zbuloi se shumica e njerëzve shfaqnin “efektin Benjamin”: ata hiqeshin më shumë të gëzuar kur kishin pranë njerëz të huaj sesa partnerin romantik.

Shumë prej nesh supozojnë, megjithatë, se mirëqenia jonë varet nga personat më të afërt dhe jo nga ata që luajnë pak rol në jetën tonë. Për të hetuar vërtetësinë e këtij supozimi, studentja Gillian M. Sandstrom u kërkoi njerëzve të llogaritnin ndërveprimet e tyre shoqërore. Ajo u dha atyre dy pulte, një të kuq dhe një të zi, për t’i mbajtur në xhepa gjatë ditës. Ata klikonin të kuqin kur ndërvepronin me dikë të afërt dhe të ziun kur ndërvepronin me dikë që nuk e njihnin mirë. Ajo zbuloi se si introvertët ashtu edhe ekstrovertët ndiheshin më të lumtur në ditët kur kishin më shumë ndërveprime shoqërore.

Për më tepër, ndërveprimet me persona që nuk i njihnin mirë i linin të paktën po aq lumturi sesa bisedat me ata që i njihnin. Studimi arriti në përfundim se edhe njerëzit jo shumë të rëndësishëm të jetës sonë, shërbejnë për të na rritur mirëqenien.

* Fotografitë shoqëruese të këtij artikulli janë një eksperiment fotografik i kryer nga Richard Renaldi, i cili u kërkoi personave të panjohur për njëri-tjetrin të bënin një prekje të ngrohtë njerëzore. Rezultati ishte një seri fotografish shumë prekëse, të cilat bënë xhiron e botës.

Top Channel