Sëmundjet, njerëzimi rrezikon katastrofën

30/04/2014 00:00

Në një raport të fundit Organizata Botërore e Shëndetësisë lëshon alarmin për rritjen e rezistencës së patogjenëve ndaj antibiotikëve, si një kërcënim global madhor për shëndetin e njerëzve.

Raporti është hartuar pas analizmit të të dhënave të grumbulluara në 114 vende ku vërehet se rezistenca e viruseve ndaj antibiotikëve tashmë “po ndodh në cdo cep të globit”.

OBSH flet për një epokë “post antibiotike” ku njeriu mund të gjejë vdekjen edhe nga shkaku më banal, edhe nga një infeksion të thjeshtë që trajtohet lehtësisht prej dekadash.

“Me shumë gjasa do të ketë pasoja shkatërrimtare për shëndetësinë globale nëse nuk merren masa domethënëse dhe në mënyrë urgjente që tani”, thuhet në raport.

Studimi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë është përqendruar në shtatë bakteret përgjegjëse për sëmundje të rënda si pneumonia, diarrea dhe infeksioni i gjakut. Përfundimi; dy antibiotikët kryesorë me të cilët janë trajtuar të infektuarit nga këto baktere, në më shumë se gjysmën e të prekurve në mbarë botën nuk asgjësojnë më patogjenin.

Njëri prej këtyre dy antibiotikëve është carbapenem, i njohur ndryshe edhe si “arma e fundit” për kurimin e të prekurve nga pneumonia dhe infeksionet e gjakut që shkaktohen nga bakteri K.pneumoniae.

Bakteret pësojnë vazhdimisht mutacion duke u bërë imunë ndaj antibiotikëve, por vitet e fundit modifikimi i disa prej tyre po bëhet me hapa të shpejtë, thotë OBSH, e cila në raport u bën thirrje qeverive për zhvillimin e menjëhershëm të antibiotikëve të rinj.

Top Channel