Dolce & Gabbana dënohen me nga 18 muaj burg

30/04/2014 00:00

Dizenjuesit e modës, Domenico Dolce dhe Stefano Gabbana, janë dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim secili, të mërkurën, me akuzën se kanë fshehur qindra milionë euro ndaj autoriteteve italiane të tatim-taksave.

Gjykata italiane e Apelit ka lënë në fuqi dënimin e dhënë Qershorin e kaluar ndaj dy njerëzve të famshëm në industrinë e modës, e që konsiderohen po aq të famshëm sa dhe vet yjet për të cilët kujdesen me veshjet e tyre, për shkak se akuzohen se kanë përdorur kompaninë financiare të Luksemburgut, Gado, për të shmangur pagesën e taksave dhe detyrimeve prej rreth 1 miliardë euro.

Vendimi i mëparshëm, nga një gjykatë më e ulët, ishte pezullimi i dënimit me burg me nga 20 muaj secili dhe vendosja e një gjobe prej rreth 10 milionë eurosh.

Dolce dhe Gabbana kanë mohuar gjithnjë të kenë shkelur ligjin, duke mos pranuar fajësinë.

Top Channel