Parlamenti i Maqedonisë në mandatin e ri do të funksionojë pa deputetët e partisë më të madhe maqedonase në opozitë, LSDM.

34 kandidatët e Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë që fituan në zgjedhjet parlamentare të së dielës, nuk do t’i pranojnë mandatet. Vendimi u mor nga Këshilli Qendror i LSDM-së, parti kjo që nuk njeh zgjedhjet për shkak të parregullsive të shumta.

Por, pavarësisht këtij vendimi të opozitës maqedonase, proçedura e konstituimit të Kuvendit nuk vihet në pikëpyetje, sepse në bazë të Rregullores për konstituimin dhe funksionimin e këtij institucioni, nevojitet shumica e deputetëve të zgjedhur, e cila nuk rrezikohet nga numri i deputetëve të opozitës maqedonase.

Pas seancës së parë, Kuvendi duhet të nisë proçedurën për plotësimin e vendeve të zbrazëta me kandidatët e LSDM-së që ishin përfshirë në listat për deputetë, por që nuk kanë arritur të fitojnë në zgjedhje.

Nëse asnjëri nga këta kandidatë nuk pranon mandatin, atëherë Kodi Zgjedhor parashikon shpalljen e zgjedhjeve shtesë vetëm për vendet e zbrazëta në Kuvend. Përbërja e re parlamentare, e cila duhet të votojë për qeverinë e re, duhet të konstituohet 20 ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve.

Një ditë më parë, kryeministri Gruevski dhe lideri i BDI-së Ali Ahmeti ranë dakord për formimin e grupeve të punës që do të negociojnë për qeverinë e re, e cila duhet të formohet deri më 16 qershor. Gruevski të mërkurën ka takuar edhe liderin e PDSH-së, Menduh Thaçin.

Burime pranë partisë së Gruevskit nuk përjashtojnë mundësinë që VMRO-ja të nisë negociata me parti të tjera nëse nuk gjen gjuhë të përbashkët me BDI-në e Ahmetit për koalicionin e ri qeveritar.

Top Channel