Kur karriera vihet në plan të parë

01/05/2014 00:00

Të gjithë e njohin si Marseli i Master Chief, por pak e dinë se ai së bashku me bashkëshorten janë një çift në karrierë me “kohë të plotë”.

Marseli është një 28-vjeçar që punon si infermier i përgjithshëm në Aeroportin e Rinasit, ndërsa Juljana specialiste shitjesh. Profesionet që kanë e bëjnë ditën e tyre shumë intensive.

Mëngjesi nis herët me përgatitjen e kafes dhe përgatitjen për në punë. Oraret për të dy janë të gjata duke u lënë shumë pak kohë të lirë. Edhe pse kanë pesë vite që bashkëjetojnë dhe tre vite martesë, për momentin nuk e kanë menduar që të kenë fëmijë pasi profesioni për ta është i pari.

Kanë dëshirë të kenë tre fëmijë, por mendojne se rreth moshës 30 vjec ky synim do të arrihet. Me pozitat që ndodhen në raport me kohën dhe me faktorët enonomik sipas tyre për momentin është e pamundur që të realizohet kjo dëshira, kështu që i dhanë vetes kohë për të shijuar pasionet dhe hobet pa kokëçarje.

Kur janë në shtëpi kohën e kalojnë duke parë fotot e përbashkëta në rrjetin social apo në kuzhinë. Kanë shumë qejf të udhëtojnë ndërsa nuk humbasin kohë të eksplorojnë vende të reja. Janë të ndërgjegjshëm se për shumë çifte në perëndim fëmijët lihen pas karrierës, madje shpesh shihen si pengesa për të arritur qellimet.

Një gjë është e sigurtë..herët a vonë kjo do të ndodhë.

Çifti i stomatologëve

Në vendet e industrializuara të botës, prej vitesh njihet modeli i çifteve në karrierë.Ambiciet, dëshira për sukses dhe sfidat personale bëjnë që partnerët t’i dedikohen punës duke menduar për familjen në një moment të dytë.

Një çift i tillë që i është përkushtuar plotësisht profesionit është Sena dhe Antonio. Mjekja Stomatologe dhe Laboranti Dentar, prej 8 vitesh punojnë dhe jetojnë së bashku. Ata janë partnerë në jetë dhe në punë.

Pjesën më të madhe të kohës i gjen në konsulta me klientët, apo me stafin duke patur shumë më pak kohë të lirë për njëri-tjerin.Shpesh shkëmbejnë mendime profesionale, sikurse gjejnë momente për të pirë kafen në ambientet e klinikës.

Antonio jep gjithashtu mësim lëndën e Ortopedisë Dentare në Universitet, ndërsa Sena ndjek vazhdimisht kurset dhe specializimet në vende të ndryshme jashtë Shqipërisë.

Ata janë me plot gojën çift në karrierë. Udhëtimet janë pasioni i tyre i dytë. Në një të tillë u njohën në verën e vitit 2003 në Sardenja.Që nga ajo kohë udhëtojnë shpesh pa harruar të marrin me vete aparatin fotografik.

Jeta dinamike që bëjnë nuk do të thotë që në një të ardhme familja e tyre nuk do të bëhet më e madhe…por për momentin karriera është në plan të parë.

Top Channel