Misteri i ndërtimit të piramidave

01/05/2014 00:00

Një grup studiuesish holandezë pretendojnë se kanë zbardhur përfundimisht misterin e ndërtimit të piramidave egjiptiane, një mister 4000-vjeçar që ka munduar ndër shekuj njerëzimin.

Në mungesë të teknologjisë së sotme, të mjeteve të transportit të sotme, studiuesi, historianë dhe vizitorë kur janë përballë këtyre kryeveprave të lashtësisë, vrasin mendjen: Si janë lëvizur dhe më pas ngritur lart gurë me përmasa të tilla?

Në bazë të hieroglifeve të lexuara nga studiuesit pranohet gjërësisht se për ndërtimin e këtyre superstrukturave është shfrytëzuar forca e krahut të skllevërve që faraonët grumbullonin në ekspeditat e tyre pushtuese në Afrikë. Por mjetet e kohës ishin primitive dhe sado i madh të ketë qenë numri i forcës së krahut të përdorur për të ngritur gurë me përmasa të tilla, misioni është i pamundur.

Grupi i shkencëtarëve holandezë kanë dalë në një përfundimin të thjeshtë: rëra e lagur. Ata thonë se egjiptianët e lashtë vendosnin objekte të rënda në një slitë e tërhequr prej qindra punëtorësh dhe më pas thjesht derdhnin ujë në rërën përpara slitës.

Eksperimentet në Universitetin e Amsterdamit provuan se sasia e duhur e lagështisë së rërës përgjysmon forcën që duhet për të tërhequr një objekt. Sekreti qëndron në dy pika kryesore, tek rëra e lagur dhe tek sasia e duhur e lagështisë.

Në këtë përfundim studiuesit holandezë mbërritën edhe pas studimit të një statuje në varrin e Djehutihotep, ku tregohet një person duke derdhur ujë në rërë përpara slitës që tërhiqet. Shkencëtarët besojnë se ky truk i vjetër egjiptian mund të ndihmojë edhe në disa element në ndërtimin modern.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel