Kush paguan taksa më të larta

03/05/2014 00:00

Mendonit se shumica e amerikanëve paguajnë më shumë taksa dhe sigurime
shoqërore se kanadezët, australianët, japonezët dhe britanikët?

E paskeni pasur gabim. Nëse krahasoni barrën amerikane të taksave me vende të tjera të zhvilluara, shifrat flasin ndryshe.

Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, OECD, ka kryer një studim ku krahason kuotën e taksave dhe sigurimeve shoqërore në bazë të të ardhurave mesatare në 34 vende të botës.

Të dhënat e reja tregojnë se belgët, gjermanët dhe danezët kanë barrat më të larta të taksave, ndërsa koreano-jugorët, meksikanët dhe kilienët kanë më të ulëtat.

Amerikanët ndodhen në mes. OECD e bëri krahasimin duke marrë të ardhurat mesatare vjetore në secilin vend dhe më pas duke hequr taksat federale dhe lokale, si dhe kontributet shoqërore të personave të punësuar.

Studiuesit përdorën si subjekt një punëtor të thjeshtë që nuk kishte fëmijë apo detyrime kundrejt të tjerëve. Kur fillon dhe bëhet zbritja e shifrave rezulton se, barra e taksës për një punëtor amerikan që fiton rreth 48 mijë e 463 dollarë në vit është paksa më poshtë se mesatarja globale.

Amerikanët paguajnë 24.6 për qind të rrogës së tyre në taksa dhe sigurime, duke pasur mundësi të çojnë në shtëpitë e tyre 75 për qind të pagës.

I njëjti studim tregon gjithashtu se barra e taksave për një punëtor kanadez është dy për qind më e ulët se e amerikanëve, edhe pse vendi siguron kujdes shëndetësor për të gjithë banorët përmes sistemit të taksimit.

Ndërsa belgët janë ata që kanë barrën më të madhe, pasi u mbetet vetëm 57.4 për qind e rrogës së tyre.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel