Një ditë pas marrjes së përgjegjësisë për pakon bombë të postuar në rajonin e policisë së Iteas, nga organizata terroriste “Komploti i Celulave të Zjarrit”, policia greke ka deklaruar pasditen e së shtunës, se tek materialet me të cilat ishte ndërtuar kjo bombë artizanale është gjetur ADN e terroristit grek të shumëkërkuar Hristodulos Ksiros.

56-vjecari që vuante dënimin e tij të përjetshëm në burgun  e Koridallosë të Athinës i akuzuar për pjesëmarrje në një sërë sulmesh vdekjeprurëse së bashku me anëtarë të tjerë të organizatës terroriste “17 Nëntori” , kundër biznesmenëve, diplomatëve grekë, amerikanë dhe britanikë nuk është kthyer në burg pas një lejeje 9-ditore. Materiali gjenetik i gjetur në mekanizmin artizanal shpërthyes të bombës është i njëjti, sipas policisë me atë që është gjetur në makinën me të cilën ai është arratisur disa muaj më parë.

Sipas policisë ai ka krijuar lidhje me gjeneratën e re të terroristëve grekë që vuajnë dënimet në këtë burg dhe dërgimi i bombës vërteton vazhdimësinë dhe bashkepunimin e këtyre dy organizatave që besohet se kanë pasuar njëra-tjetrën.

Në të njëjtën gjatësi vale me mesazhin e tij të regjistruar në një vend të fshehtë disa muaj më parë kundër sistemit në fuqi, është edhe marrja e përgjegjësisë nga “Celulat e Zjarrit” të atentatit me bombë që dështoi në rajonin e policisë.

Aty theksohet se ky akt ka të bëjë  me torturat të cilave iu nënshtrua i burgosuri shqiptar Ilia Kareli që ka qendruar për disa orë në këtë rajon, ndërsa policë të tij e kanë shoqëruar atë në burgun e Nigritës, ku është rrahur për vdekje nga gardianët e këtij burgu.

Policia greke ka publikuar gjithashtu edhe fotografitë e bombës artizanale e cila sic theksohet për fat të mirë nuk ka shpërthyer se përndryshe do të kishte shkaktuar shumë viktima pasi në përbërjen e saj, përvec gjysmë kilogrami lëndë eksplozive, baterisë dhe ndezësit, ndodheshin edhe shumë vidha dhe gozhdë.

Terroristët e “Celulave të Zjarrit” kanë paralajmëruar se do të ketë edhe sulme të tjera në shenjë hakmarrje për vrasjen e Karelit.

Dy ditë më parë, sipas raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, organizata ekstremiste “17 Nentori”, shumica e anëtarëve të së cilës janë burgosur që në vitin 2002, vazhdon veprimtarinë e saj terroriste nëpërmjet grupit të “Komplotit të Celulave të Zjarrit”, ndërsa theksohet se ndoshta në Greqi vazhdon të veprojë edhe organizata tjetër e rrezikshme “Lufta Revolucionare”.

Top Channel