Katër studentët shqiptarë nga Lidhja studentore DECA nga Shkupi, që para disa ditëve zunë vendin e parë në një konkurs të organizuar nga NASA në Maqedoni, po vijojnë garën në nivel global, në kuadër të Agjencisë Hapësinore Amerikane.

Projekti i tyre, që është një aplikacion i ri për programin Android, do t’ua lehtësoj njerëzve në përgjithësi udhëtimin në vende të reja dhe mund të funksionojë edhe pa internet.

“Aplikacioni i ka edhe mundësitë, siç i ka edhe aplikacioni Google Maps, por në aplikacionin që e kemi bërë ne, çdo njeri mund të kontribuojë duke shtuar gjëra të reja. Aplikacioni i ndihmon njerëzit që të gjenden më lehtë. Për shembull, në vendet malore ndihmon që të dihen vendet me rrezik. Ata që vendosin të vizitojnë vendet malore të dijnë rreziqet por edhe atraksionet që kanë vendet malore. Pra, në aplikacion do të përfshihen të gjitha detajet”, tregon studenti Blerand Ramadani.

Konkursi, ku marrin pjesë 20 projekte nga vende të ndryshme të botës, mbyllet më 6 maj. Studentëve që fitojnë këtë garë, NASA do t’u mundësojë një udhëtim në Florida të SHBA-ve, për të parë nisjen e anijes kozmike në hapësirë. Votimi për projektin më të mirë bëhet në rrjetin social Twiter.

“Momentalisht jemi në garë të ngushtë me dy projekte të tjera. Jemi shumë afër fitores pasi aktualisht jemi në vendin e parë. Votimi bëhet përmes Twitterit, duke bërë tweet secili në profilin e tij personal. Meqë votimi është pranë përfundimit, le të shfrytëzojmë të gjithë mundësinë për të votuar që ta fitojmë këtë betejë”, deklaron Suad Saliu, kryetar i Lidhjes Studentore DECA.

Skuadra që ka realizuar projektin quhet DECA One dhe përbëhet nga 4 studentë shqiptarë dhe një maqedonas, të cilët vijojnë studimet në Fakultetin e Shkencave Informatike, atë të Makinerisë dhe Fakultetin Elektro-teknik pranë Universitetit ‘Kirili dhe Metodi’ në Shkup.

Top Channel