Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Shtefan Fyle, gjatë vizitës së tij në Beograd tha se Serbia ka tri prioritete në rrugën drejt integrimit.

Kosova, përkatësisht normalizimi i marrëdhënieve është ndër to, krahas reformave dhe ekonomisë. Ai u takua me zyrtarët e lartë serbë, presidentin Tomisllav Nikoliç dhe kryeministrin Aleksandar Vuçiç, të cilët i mbështeti në arritjet e mëdha.

“Është me rëndësi që të kemi një ripajtim dhe shumë gjëra do të varen nga kjo. Kemi biseduar për këtë çështje dhe për temat që mund të kenë një interes të përbashkët”, deklaroi Fyle.

Nga ana e tij, Vuçiç tha se Serbia do të jetë e përkushtuar në rrugën e saj të integrimit, në mënyrë që deri në vitin 2018 të jetë më afër.

“Para Serbisë janë sfida të mëdha dhe ne kemi biseduar se çfarë të bëjmë para hapjes së kapitujve të rinj. Serbia ka edhe shumë punë për të bërë dhe natyrisht kjo nuk do të jetë e lehtë”, tha Vuçiç.

Fyle deklaroi gjithashtu se mendimi për Serbinë në Evropë ka ndryshuar dhe tani përkushtimi për integrimin është i tërë politikës serbe.

Top Channel