Hollande: Dështova me papunësinë

06/05/2014 00:00

“Zotimi im për të ndryshuar kurbën e papunësisë brenda fundit të vitit
2013 ka dështuar. Megjithatë vazhdoj të luftojë për këtë objektiv”.

Kështu ka deklaruar presidenti francez Francois Hollande, në një fjalim të transmetuar direkt në radion dhe televizionin publik, dy vjet nga zgjedhja e tij në krye të pallatit Elize.

“Nuk kam asgjë për të humbur, por Franca duhet të fitojë”, ka vijuar Hollande me fjalimin e tij, ku i është përgjigjur edhe interesit të medias për një rikandidim të tij.

“Nëse në fund të mandatit do të kem dështuar me rritjen ekonomike, papunësinë dhe rilindjen e vendit, si do të mund të them që kam një zgjidhje për të ecur përpara?” ka thënë Hollande.

Të dhënat qeveritare të publikuara muajin e kaluar tregonin se ekonomia franceze ishte rritur me 0.3% në tremujorin e fundit të 2013-s.

Një rritje e tillë e lehtë ndihmoi ekonominë e dytë më të madhe të Europës që të shmangte reçesionin, duke regjistruar gjithashtu një rritje prej 0.3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për të gjithë vitin e shkuar marrë bashkë.

Parashikimet e Bankës Qëndrore Franceze flisnin për një kontraktim prej 0.1% në periudhën tetor-dhjetor 2013.

Ndonëse rritja mbetet ende e dobët, këto të dhëna konfirmojnë besimin se ekonomia e Eurozonës po nis një proces të gjatë rimëkëmbjeje, në të cilën Franca pritet të luajë një rol kyç.

Top Channel