Nga Microsoft sapo ka mbërritur konfirmimi: platforma Xbox One do të jetë në tregun e Kinës prej muajit shtator.

Nuk është një njoftim dosido, duke pasur parasysh se në vendin aziatik prej 14 vjetësh ndalohej hyrja e platformave të huaja të lojrave elektronike.

Ligji, i hyrë në fuqi në vitin 2000, ishte vendosur për të bllokuar “influencën korruptive” të lojrave të huaja elektronike. Produkti i Microsoft do të jetë platforma e parë që do të përfitojë nga fleksibiliteti kinez sa u takon video-lojrave.

Në janar, qeveria e Pekinit njoftoi vendimin për t’u hapur dyert kolosëve ndërkombëtarë të sektorit. Por prapa njoftimit të Redmond janë dy vjet negociata me autoritetet dhe kompanitë vendase.

Për hedhjen në tregun kinez të Xbox One, Microsoft i është dashur të nisë një partneritet me BesTv, një filial i grupit Shanghai Media.

Së bashku dy kompanitë kanë krijuar E-Home Entertainment, një sipërmarrje prej 57 milionë eurosh që do të merret me shpërndarjen e platformës në Kinë.

Top Channel