24 orë pas tragjedisë së ditës së hënë, kur në brigjet veriore të ishullit grek të Samos kanë humbur jetën nga përmbysja e jahtit, me të cilin vinin drejt Greqisë të paktën 22 emigrantë ilegalë, forcat e Marinës detare greke kanë shmangur një tragjedi të re, pothuajse në të njëjtën zonë detare.

Trafikantë të qënieve njerëzore, që sillnin nga Turqia 24 emigrantë klandestinë, u kanë thënë atyre të hidhen në det, në mënyrë që të detyronin forcat greke për t’i shpëtuar.

Për fat të mirë, ekipet e shpëtimit kanë mbërritur në kohë dhe kanë nxjerrë nga uji të gjithë emigrantët ilegalë, midis tyre edhe dy gra. Ndërkohë, është njoftuar Marina turke që – sipas ligjeve që kanë nënshkruar Greqia dhe Turqia, – t’i kthejë përsëri pas emigrantët.

Qeveria greke ka deklaruar se do ta mbajë në nivelet më të larta luftën ndaj trafikimit të qenieve njerëzore, sidomos pas tragjedisë së pak orëve më parë, me 65 emigrantët që vinin drejt Greqisë me jahtin luksoz, deri sa nga mbipesha ai është përmbysur dhe si pasojë kanë humbur jetën dhjetëra persona, midis tyre disa gra, njëra prej të cilave shtatzënë, dhe 4 fëmijë.

39 të tjerë janë shpëtuar. Nga 22 viktimat e tragjedisë, 18 kanë humbur jetën të izoluar në kabinat e jahtit të përmbysur, ndërsa kërkimet vazhdojnë për gjetjen e të humburve të tjerë, me frikën se numri i viktimave do të rritet.

Siç komentojnë mediat greke dhe ato të huaja, figura më tragjike në këtë ngjarje të dhimbshme është ajo e një nëne, e cila kishte vdekur duke mbajtur shtrënguar në përqafim fëmijën e saj.

Top Channel