Jemi ndër vendet me konsumin më të lartë të medikamenteve, të paktën krahasuar me vendet e rajonit dhe BE-së. Në një raport të para dy viteve, Banka Botërore raportoi se shqiptarët konsumojnë shumë barna mjekësore, duke i parë ato si zgjidhjen e parë.

Por, edhe të dhënat vjetore të ISKSH-së e mbështesin këtë fakt duke treguar se ne jemi ndër popujt më konsumatorë të preparateve medikale.

“Përdorim ilaçe për tensionin dhe zemrën”, thonë shumica e të moshuarve.

Vërehet se mungesa e protokolleve të mirëfillta mjekësore është veç të tjerash një nga shkaqet kryesore. Por, pacientët vetë e çojnë më tutje këtë problem. Jo rrallë herë ata kapërcejnë autoritetin dhe kompetencat e mjekut, duke e zgjidhur problemin e tyre shëndetësor direkt me farmacistin: “Zakonisht i marrim vetë ilaçet, pa rekomandimin e mjekut. Thjesht pyesim farmacistin.”

Dhe farmacisti, hallka e fundit e këtij problemi, nuk mjaftohet vetëm me lëshimin e barnave pa përshkrim. Shumë pacientë ankohen se ata ndërrojnë barnat e recetës, çka lë vend për aludime: “Farmacistët ndërrojnë ilaçet, e bëjnë shpesh këtë gjë.”
Në studimin e BB-së është raportuar se shqiptarët shpenzojnë për ilaçe 32% të shpenzimeve të përgjithshme për kujdesin shëndetësor në total, ndërsa në vendet e Bashkimit Evropian mesatarja e shpenzimeve për barna është 14% e totalit të fondit, ndërsa në Amerikë ajo është 8%.

OBSH: Antibiotikët të paefektshëm për gjysmën e botës

Gjithë popullsia e botës ndodhet përpara një kërcënimi të madh të ri dhe të vjeter sa njerëzimi: mikrobet.

Ato gjithmonë kanë ekzistuar por çka përbën një rrezik aktual ndaj nesh është fakti se ato janë bërë rezistente ndaj antibiotikëve. Në një raport të para disa ditëve, OBSH-ja vë alarmin se përhapja e mikrobeve rezistente ndaj antibiotikëve është tashmë një kërcënim për globin mbarë.

“Rezistenca ndaj antibiotikëve ka potencialin për të ndikuar këdo, në çdo moshë, në çdo shtet”, thuhet në raportin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Tashmë, ky është një rrezik madhor për shëndetin publik, ndërlikimet e të cilit do të jenë “shkatërrimtare”.

Në raportin e saj të pare global rreth rezistencës së antibiotikëve, i cili u hartua me të dhëna nga 114 shtete, OBSH-ja arriti në konkluzionin se mikrobet që janë rezistente ndaj antibiotikëve dhe që janë në gjendje të shmangin edhe efektin veprues të antibiotikëve më të fortë, gjenden tashmë në të gjithë rajonet e botës.  

Rezistenca ndaj ilaçeve zhvillohet nga mospërdorimi dhe mbipërdorimi i antibiotikëve, çka inkurajon bakteret që të zhvillojnë mënyra të reja për t’i mposhtur ato.  

Vetëm një sasi shumë e vogël antibiotikësh të rinj janë hedhur në treg përgjatë dekadave të fundit. Sfida e kohës është shpikja e antibiotikëve rezistentë kundrejt infeksioneve bakteriale, të cilët mund të përdoren për raste ekstreme.

Një nga mikrobet më rezistente ndaj antibiotikëve është MRSA, e cila vret çdo vit rreth 19 mijë persona në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shifër kjo më e lartë sesa viktimat e shkaktuara nga HIV/AIDS. Dhe po kaq humbin jetën nga MRSA edhe në Europë.

OBSH-ja thotë se në disa shtete, për shkak të rezistencës, disa lloje antibiotikësh nuk veprojnë më në më shumë se gjysmën e njerëzve që vuajnë nga infeksionet e zakonshme spitalore, infeksionet e rrugëve urinare, pneunomokoku, infeksionet e gjakut dhe infeksionet në bebet e sapolindura.

Sipas raportit të OBSH-së, në vitet ’80, kur këto ilaçe u prezantuan për herë të parë, rezistenca ndaj tyre ishte praktikisht zero. Por, tani ka shtete në pjesë të ndryshme të botës ku ilaçet janë të paefektshme në më shumë se gjysmën e pacientëve.

Top Channel