Mushkëritë e derrit për të shpëtuar njerëzit

07/05/2014 00:00

Një grup shkencëtarësh po punojnë me synimin për të zhvilluar mushkëri
derri të modifikuara gjenetikisht në mënyrë që të jenë të përshtatshme
për njerëzit, një ide, që nëse realizohet me sukses, mund të zgjidhë
nevojat urgjente për organe zëvendësuese për njerëzit që kanë sëmundje
të përparuara mushkërish. Pionieri i biogjenerikës J.Kraig (J.Craig)
Venter po udhëheq grupin shkencor.

Kërkimi do të jetë një sipërmarrje private që synon të hyjë në tregun e sëmundjeve që u sjellin vdekjen rreth 400 mijë amerikanëve në vit, ndërsa vetëm 2 mijë prej tyre shpëtohen përmes transplanteve të mushkërive.

Përpjekjet e mëhershme për të përdorur organe kafshësh te njerëzit që kanë nevojë për transplant kanë dështuar për shkak të ndryshimeve në gjenet që sjellin refuzimin e organeve nga ana e trupave dhe qelizave të gjakut.

Njerëzit, derrat dhe shumica e mamalëve të tjerë kanë gjene të njëjta në masën 90 për qind. Skuadra e Venter do të përcaktojë se cilat aspekte të gjenit të derrit do të duhet të ndryshohen për t’i bërë mushkëritë e derrave të përputhshme me njerëzit, duke shmangur reagimin imunitar që ndodh edhe në shumë raste kur transplantet bëhen mes njerëzve.

“Ne do të fillojmë me gjenerimin e një sekuence super të saktë të gjenit të derrit dhe pastaj të kalojmë në detaje e ta krahasojmë me gjenin e njeriut”, tha Venter. “Synimi është që ta korrigjojmë atë dhe, kur të jetë e nevojshme, ta rishkruajmë, duke përdorur mjetet tona të gjenomit sintetik, atë pjesë të gjeneve të derrit që duket se lidhet me përgjigjet imunitare”, shtoi ai. Verner është i mirënjohur për krijimin e hartës së gjenit të njeriut një dekadë më parë.

Skuadra e tij ka detyrën të ndryshojë dhe rishkruajë kodin gjenetik të derrit dhe t’i japë një kompanie tjetër një seri të qelizave të ndryshuara, kompania tjetër do t’i vendosë këto qeliza në vezët e derrit, duke krijuar embrione që do të zhvillojnë derra me mushkëri të humanizuara.

Procesi do të kërkojë shumë dhe shumë vite që nga nisja e punës. Mushkëritë janë organi më i vështirë për transplant për shkak se janë në strukturë shumë delikate. Nëse skuadra ia del të prodhojë mushkëri të përshtatshme për njerëzit nga derrat, zemrat dhe veshkat e këtyre kafshëve mund të përdoren gjithashtu për transplant njerëzor.

Shkencëtarë të tjerë po punojnë paralelisht mbi të njëjtën teori. Javën e kaluar disa shkencëtarë raportuan se një zemër derri e modifikuar gjenetikisht është përdorur për një majmun tek i cili funksionoi për një vit e ndihmuar nga zemra natyrore e majmunit.

Top Channel