Shpenzimet e zbritshme nga taksat

07/05/2014 00:00

Avokati i Tatimpaguesve i kërkon Qeverisë të ndërhyjë në ligjin për
deklarimin e të ardhurave, duke zgjeruar zërat e shpenzimeve që njihen
si të zbritshme nga taksat.

“Në mënyrë nominative mund të përcaktohet, në formë bareme, edhe një shkallë e përcaktuar e njohjes së shpenzimeve jetësore, ato më të domosdoshme të njeriut, konform metodave që i aplikon BE. Janë shpenzime që deri në njëfarë mase janë të njohura”, thotë avokat Artur Papajani.

Aktualisht ligji u njeh individëve vetëm 3 kategori shpenzimesh të zbritshme, interesat e kredive për arsim, shpenzimet për kurim dhe ato për sigurime. Papajani thotë se përfshirja edhe e shpenzimeve të përditshme, jo vetëm që do të lehtësonte qytetarët, por do të ulte evazionin.

“Në rast se ne do t’i deklarojmë ato shpenzime do të kemi një benefit ndaj tyre, ne do të jemi ‘agresivë’ edhe me marrjen e faturave tatimore, kuponave të kasave që kemi, që përballemi përditë me këtë problem, me tatimpaguesit

Veç rekomandimeve ligjore, zoti Papajani ka komentuar edhe marrëdhëniet mes tatimpaguesve dhe administratës fiskale.

“Ne konstatojmë një përmirësim të ndjeshëm të marrëdhënieve të administratës tatimore dhe biznesit të cfarëdolloj niveli. Ka një ndryshim, të paktën nga pjesa më e madhe e vitit të kaluar, që rëndom janë fshirë ankesat e pjesës dominante të përballjes jonormale, përsa i takon gjobave që janë vendor, kjo natyrë është krejtësisht i ezauruar”, thotë Papajani.

Zoti Papajani shpreson që ky përmirësim i marrëdhënieve mes biznesit dhe tatimeve të vazhdojë. Sipas tij, së shpejti do të miratohet për herë të parë edhe Karta e Tatimpaguesve, një dokument që përmban të gjitha të drejtat e atyre që paguajnë taksa ndaj administratës së fiskut.  

Top Channel