Në një seancë plenare të papreçedentë, Parlamenti grek ka vendosur me shumicë votash edhe për heqjen e imunitetit të katër deputetëve të tjerë të partise neonaziste Agimi i Artë.

Ajo që ka bërë përshtypjen më të madhe në këtë votim ishte fakti se për herë të parë në historinë e Parlamentit silleshin në sallë, nga burgu me pranga në duar, dy deputetë të akuzuar për të dëshmuar.

Jorgos Germenis dhe Stathis Boukuras, i cili ka deklaruar se nuk është më pjesë e AA por deputet i pavarur, janë tashmë në paraburgim në pritje të gjykimit, së bashku me katër anëtarë të tjerë të kësaj force politike të ekstremit të djathtë, midis tyre edhe lideri i partisë Nikos Mihaloliakos, me akuzën e organizimit dhe pjesëmarrjes në një organizatë kriminale.

Të dy deputetët kanë mbërritur nga burgu nën masa të rrepta sigurie dhe kanë dëshmuar në mënyra të ndryshme që kanë krijuar reagime bashkë me dy ligjvënësit e tjerë të kësaj partie të cilët ende nuk janë akuzuar.

“Ne do të vazhdojmë të jemi rebelë, ne do të mbetemi besnikë ndaj besimeve tona patriotike dhe nuk do të tërhiqemi as nga burgu e as nga vrasja e anëtarëve të partisë sonë”, ka deklaruar Germenis.

“Cili është krimi që kam kryer? Isha krenar që isha një anëtar i Parlamentit, unë kurrë nuk kam ofenduar ndonjë nga ju. Nodhi që u bëra anëtar i AA. Unë nuk jam fashist, unë nuk jam një nazist, unë jam një patriot grek, i lënduar për këtë vend. Unë kam luftuar për këtë vend”, ka thënë deputeti tjetër Boukuras.

Drejtësia greke ka filluar një hetim për veprimtari të mundshme kriminale nga partia Agimi i Artë vitin e kaluar, pas vrasjes së një muzikanti, aktivist i së majtës greke nga një neonazist, si dhe pas një seri sulmesh raciste kundër emigrantëve.

Prej atëherë, dy deputetë të kësaj partie kanë deklaruar se janë të pavarur duke zbuluar me dëshmitë e tyre se në gjirin e saj ka pasur veprimtari të dyshimta kriminale.

Por nga ana tjetër, AA pretendon se hetimi është një përpjekje e qeverisë në fuqi për të shkatërruar këtë parti para zgjedhjeve bashkiake dhe ato për Parlamentin Evropian.

Në qershor të vitit 2012, Agimi i Artë u bë partia e parë politike neonaziste që futej në Parlamentin grek, madje duke siguruar 18 vende dhe që atëherë, sipas sondazheve, ka dyfishuar përkrahësit e saj duke u konsoliduar tashmë si forca e tretë politike në vend.

Me interes pritet nga të gjithë vendimi i Gjykatës së Lartë të vendit më 11 maj, që do të vendosë nëse do t’i ndalohet kësaj partie të marrë pjesë në zgjedhjet për PE, për shkak të akuzave me të cilat përballen krerët dhe anëtarët e saj.

Top Channel