Negociatat për formimin e qeverisë së re në Shkup, që kanë nisur ditë më parë mes partisë maqedonase VMRO-DPMNE dhe asaj shqiptare BDI, janë ende në fazën e parë, që është harmonizimi i platformave zgjedhore të dy subjekteve për një bashkëqeverisje eventuale.

Këtë e ka bërë të ditur BDI-ja e Ali Ahmetit përmes një komunikate për shtyp, përmes të cilës ka mohuar shkrimet në media për kërkesat e kësaj partie në negociata dhe ndarjen e posteve në qeverinë e re.

Ndërkohë, burime pranë partisë maqedonase VMRO-DPMNE njoftojnë se negociatat për formimin e koalicionit të ri qeveritar po zhvillohen ngadalë dhe se kusht për të ecur përpara bisedimet është njohja e legjitimitetit të presidentit Gjorgje Ivanov nga BDI-ja.

Përpos fushatës elektorale kundër presidentit të njëanshëm, partia e Ali Ahmetit, edhe pas zgjedhjeve u shpreh se nuk do ta njohë legjitimitetin e Ivanov. Një pikë tjetër jo e lehtë në për t’u kapërcyer në këto negociata është edhe posti i kryetarit të Parlamentit, të cilin e synon BDI-ja.

Se si do të shkojnë bisedimet mes këtyre dy partive për formimin e qeverisë do të dihet pas seancës parlamentare të ditës së hënë, kur do të inaugurohet presidenti i rizgjedhur maqedonas Gjorgje Ivanov.

Nga ana tjetër, nuk përjashtohet mundësia që pjesë e qeverisë së re të bëhet edhe Partia Demokratike Shqitpare. Vetë kreu i këtij subjekti, Menduh Thaçi ka bërë të ditur se është takuar me kryeministrin Gruevski vetëm disa ditë pas përfundimit të zgjedhjeve, me të cilin ka biseduar për qeverinë e re. Megjithatë, Thaçi ka thënë se ende nuk është vendosur nëse PDSH do të jetë pjesë e koalicionit qeveritar.

Top Channel