Partnerja e bezdisshme i shkurton jetën burrit

09/05/2014 00:00

Një studim i fundit danez ka dalë në përfundimin se “kërkesat e tepërta” të gruas ndaj burrit janë shumë të dëmshme për meshkujt dhe rrisin rrezikun e vdekjes së tyre gjatë moshës së mesme.

Stresi i shkaktuar nga debatet e shpeshta mund të shkaktojë sëmundje të zemrës dhe të dobësojë sistemin imunitar sipas kërkuesve shkencorë të Universitetit të Kopenhagenit.

Dr. Rikke Lund ka vëzhguar 9875 meshkuj dhe femra të moshës 36-52 vjeç për 11 vite me radhë. Ai i ka drejtuar atyre pyetje të ndryshme që kanë të bëjnë me partnerin, familjen dhe shoqërinë. Pyetësori përfshinte pyetje që kishin të bënin me frekuencën e konflikteve dhe debateve me njerëzit e afërt.

Gjatë këtyre 11 viteve vdiqën 196 nga personat e vëzhguar për arsye të ndryshme: atak në zemër, kancer apo vetëvrasje. Akademikët vunë re se burrat që ankoheshin më shumë për presionin psikologjik të ushtruar nga partneret e tyre kishin 60% më shumë mundësi të vdisnin, në krahasim me 34% mundësi tek femrat.

“Stresi shkakton vdekjet e parakohshme pasi rritet tensioni dhe dobësohet zemra. Meshkujt i hapen vetëm të dashurave ose bashkëshorteve dhe nëse ata nuk gjejnë mirëkuptim edhe aty, ndihen shumë keq. Femrat janë më ndryshe pasi hapen me më shumë njerëz dhe nuk e vuajnë shumë presionin dhe ngacmimin e partnerëve”, shpjegon Lund.

Top Channel