Apple synon dominimin e muzikës

09/05/2014 00:00

Gjiganti i teknologjisë, Apple, është në bisedime me prodhuesin e kufjeve dhe transmetimit të muzikës Beats Electronics.

Sipas mediave amerikane, Apple është e gatshme të paguajë deri në 3.2 miliardë dollarë për blerjen e shërbimeve dhe marrëveshja mund të njoftohet javën e ardhshme. Nëse realizohet, ajo do të jetë blerja më e madhe e bërë ndonjëherë nga Apple.

Kjo lëvizje shihet si një përpjekje e “mollës” për të zënë një pozicion më të fortë në tregun e telefonëve dhe aksesorëve të muzikës, si dhe për të përkrahur ofertat e saj muzikore online.

Këta dy sektorë pritet të regjistrojnë një rritje të shpejtë në vitet e ardhshme. Gazeta “Financial Times”, që raportoi e para lajmin, citoi një burim që thoshte se dy kompanitë janë ende duke negociuar detajet.

Beats u themelua nga producenti muzikor Jimmy Iovine dhe ylli i hip-hopit Dr Dre dhe deri në vitet e fundit ishte e mirënjohur për kufjet e saj. Vetëm në fillim të këtij viti ajo nisi shërbimin e transmetimit të muzikës.

Gjithësesi, Apple ka prej kohësh dyqanin e saj iTunes, që është shërbimi më i madh në botë për shkarkimin e muzikës. Gjithashtu, vitik e kaluar ajo lançoi iTunes Radio. Por ky veprim bëri që specialistët e industrisë të vinin në dyshim lëvizjen.

Top Channel