Avioni, Tahiri: Ishte sukses i policisë

11/05/2014 00:00

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, konfirmoi zyrtarisht lidhjen mes pilotit italian dhe trafikantit shqiptar, të përfshirë në një trafik droge.

“Piloti italian dhe shtetasi shqiptar kanë qenë në një sipërmarrje bashkëpunuese për të organizuar atë që më pas mbeti në tentativë, që ishte trafiku i paligjshëm i lëndëve narkotike. Me përgjegjësinë e detyrës që mbaj ju bëj me dije se nuk ka pasur asnjë avion fantazmë, por një avion të regjistruar pranë autoriteteve përkatëse, me leje për të hyrë dhe për të dalë nga territori i Shqipërisë sipas legjislacionit në fuqi”, ka deklaruar ministri i Brendshëm.

Sipas Ministrit të Brendshëm avioni nuk ishte fantazmë, por ishte me leje nga autoritet vendase, konform ligjeve në fuqi. Ai tha se hetimet do të përfshijnë komunikimin e kullave të komandimit. Për ministrin rasti i këtij trafiku rrjedh nga nxitja e instinkteve kriminale të politikës.

“Historia e kësaj ngjarje është dëshmia fatale, por dëshmia më e qartë se si nxiten instiktet kriminale të qytetarëve nga politika e papërgjegjshme e kriminalitetit të vendit, nga politika e papërgjegjshme e kriminalitetit të institucioneve, e nxitjes së krimit dhe trafikut të drogës, e deklaratave të papërgjegjshme dhe absurde nga goja e atyre që vetëm pak muaj më parë ishin jo vetëm në krye të vendit, por në krye të të gjitha pushteteve për të bërë punët e vendit, por edhe ca punë të tjera”, tha Tahiri.

Duke ju përgjigjur akuzave të opozitës, Ministri i Brendshëm tha se ngjarja e Divjakës  tregon se qeveria e mëparshme nuk e luftoi drogën dhe ishte në dijeni të trafikut.

“Në deklaratat e opozitës ka një të vërtetë, po ndodh e paimagjinueshmja sepse tentativa e parë për të bërë atë që ish-kryeministri deklaronte u ndalua në mënyrë të suksesshme nga Policia e Shtetit. Kjo do të thotë që kanë dijeni, do të thotë që kanë pasur dijeni kur kanë qenë në pushtet, por nuk e kanë bërë detyrën. Sot  Policia e Shtetit po bënë detyrën për t’i garantuar shqiptarëve një standard të lartë sigurie, deri dje të paimagjinueshëm”, shtoi ministri i Brendshëm Tahiri.

Top Channel