Gjykata Supreme në Greqi i ka dhënë dritën jeshile partisë së ekstremit të djathtë Agimi i Artë që të marrë pjesë në zgjedhjet për Parlamentin Europian në datën 25 maj.

Sipas Departamentit të Parë të kësaj gjykate, jo vetëm Agimi i Artë, por edhe forca tjetër politike rezervë Agimi Kombëtar që ishte krijuar nga përfaqësues të së njëjtës rrymë, në rast se do të shpalleshin të paligjshëm, kanë plotësuar kriteret formale të ligjit dhe Kushtetutës për pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje.

Kështu janë hedhur poshtë ankesat se Agimi i Artë nuk duhet të marrë pjesë në zgjedhje pasi krerët dhe disa deputetë e anëtarë të kësaj partie janë arrestuar apo ndodhen nën proces hetimi për organizim dhe pjesëmarrje në një organizatë kriminale.

Sipas Gjykatës Supreme, ende nuk ka një vendim që cilëson këtë parti si organizatë kriminale, ndërsa kandidatët e saj nuk janë as të dënuar, as të privuar nga të drejtat e tyre civile dhe statusi i saj si forcë politike nuk është në kundërshtim me Kushtetutën.

Pas këtij vendimi është tërhequr kërkesa për pjesëmarrjen e Agimit Kombëtar dhe sipas sondazheve që u japin neonazistëve grekë deri në 13% të votave, duket se për herë të parë ata do të hyjnë në Parlamentin Europian.

Gjithsej, në zgjedhjet e 25 majit do të marrin pjesë 43 parti dhe koalicione partiake greke. Sondazhet e fundit të publikuara në fundjavën që kaloi tregojnë se Demokracia e Re dhe partia opozitare Syriza udhëheqin me diferencë të ngushtë njëra me tjetrën.

Një javë më parë se zgjedhjet për PE-në, në 18 maj grekët do të shkojnë drejt kutive të votimit për të zgjedhur edhe përfaqësuesit e tyre të pushtetit lokal.

Top Channel