Ato kanë shkelur pragun e vitit të 14 të jetës së tyre dhe në këtë përvjetor i kanë dhënë vetes një mision të madh. Aleksia dhe Vasia Barka janë dy motra binjake nga kryeqyteti, nxënëse shembullore dhe vajza me botë shumë të pasur, që tashmë kanë vendosur të ndihmojnë fëmijë në nevojë.

Në festën e përvjetorit të tyre, ato kanë promovuar themelimin e organizatës “Fëmijët për fëmijët”, e cila ka për mision të ndihmojë fëmijët në kimioterapi.

Torta tradicionale dhe dhuratat nuk kanë qenë zemra e festës së tyre, sepse, përpos organizatës, në këtë festë u promovua libri i tyre i parë “Si u rritëm me shkrimin”. Një botim me përmbledhje shkrimesh letrare, që në fakt ka marrë shumë vlerësime, një prej të cilave vjen nga kritiku Agron Tufa.

“Impresionet e mia kanë qenë të mëdha që nga kontakti i parë, sepse duke lexuar krijimet e këtyre vajzave, sidomos duke pasur parasysh moshën madje dhe vitet kur ato janë shkruar, ka qenë një mrekulli e madhe për mua që mbaj marrëdhënie të përhershme me auditorin. Tani është e dhimbshme ta themi, por e vërtet, kur në auditor na vijnë me qindra studentë, të cilët kanë harruar të shkruajnë shqip”, tha kritiku Tufa.

Vasia dhe Aleksia janë dy vajza me një botë shumë të pasur, e cila mbretërohet nga dëshira për të ndihmuar të tjerët. Kjo mirësi e të voglave ka frymëzuar shumë edhe të rriturit përreth tyre. Ja si shprehet Antoneta, një mikeshë e familjes.

“Është një mision që të gjithë fëmijët, bashkëmoshatarët e Aleksias dhe Vasias, duhet ta përcjellin te shokët dhe shoqet e tyre”, thekson Antoneta.

Janë ende shumë të vogla, por vajza me ide shumë të mëdha për ta bërë botën më të mirë.

“Ashtu siç ka thënë Fjodor Dostojevski, e bukura e shpëton botën. Dhe e bukura në këtë rast është dhënia e një modeli, jo vetëm e krijimit, por me tërë sferën e përpjekjeve që bëjnë këto vajza. Jam i bindur se tok me to do të kemi dy qytetare modele, pas të cilave do të vijnë plot adhurues të tyre, të modelit të Aleksias dhe Vasias”, tha më tej Tufa.

Top Channel