“Si i humba 42 kg falë bypass-it gastrik”

12/05/2014 00:00

114 kg, e papunë dhe me shumë probleme shëndetësore, për shkak të mbipeshës. Kjo ishte Flora Kajnozi, rreth një vit më parë.

“Kam pasur një peshë normale, kam qenë 52 kg. Linda vajzën, shtova pak kilogram por jo shumë, ndryshe nga ç’ndodhi pas lindjes së djalit. Atëherë nisa të merrja kilogramë të tepërt, gjë që më bëri të shqetësohesha për shëndetin tim të tepërt”, tha ajo.

45-vjeçarja, jo pak herë kishte tentuar të dobësohej përmes dietave. Por, mënyrat çudibërëse për shumëkënd duket se dorëzoheshin shumë shpejt në rastin e Florës.

“Kam provuar të mbaj edhe dietë, por maksimumi kam rënë deri në 5 kg, të cilat i shtoja thuajse dyfishin muajin pasardhës”.

Nuk mungonin as njerëzit e afërt, që i vinin në dukje peshën e tepërt që kishte shtuar, duke i kërkuar që të ishte më e kujdesshme me ushqimin.

“Shkova te djali i xhaxhait për t’i kërkuar punë, sepse isha e papunë në atë kohë. Ai u habit kur më pa sa isha shëndoshur dhe me buzëqeshje më tha se askush nuk më merrte në punë në atë gjendje. U ndjeva keq për momentin, edhe pse isha mësuar me peshën trupore time”.

E gjendur në një situatë, kur pesha trupore vetëm shtohej dhe bashkë me të edhe problemet shëndetësore, Flora vendos të kërkojë zgjidhje pranë Spitalit Amerikan. Një i afërm i saj e kishte udhëzuar se aty realizohet një ndërhyrje e quajtur “bypass gastrologjik”.

Pas konsultave me doktor Kadir Burak Oza, Flora i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale.

“Kur u ngrita në këmbë prisja të isha dobësuar në moment, por pas tri ditësh vura re se kisha rënë me 2 kg, kur u peshova”.

Tanimë, falë Spitalit Amerikan, jeta e Florës ka ndryshuar plotësisht. Megjithë dyshimet në fillim, 45-vjeçarja tregon se tashmë të afërmit e përgëzojnë për pamjen e re.

“Tani janë shumë të gëzuar, ndërsa unë ndihem shumë mirë. Madje më thonë se nëse unë jam mirë, atëherë edhe ata ndihen mirë. Por fillimisht të gjithë e kishin problem, nga mami e babi, e deri te burri e fëmijët. Edhe pse isha e shëndoshë, ata më thonin ‘je e bukur mami, për ne nuk ka problem pesha jote trupore’, ndërsa tani më thonë se sa shumë kam ndryshuar”.

E për një grua veshjet janë të shumëdëshiruara, ndaj dhe Florës i duhet një garderobë e re.

“Më parë e kisha problem edhe me rrobat, ndërsa tani jam më mirë. Mund të gjej çdo gjë për trupin tim, por ende nuk dua të blej shumë gjëra, pasi po pres të shkoj në peshën që më ka thënë doktori, idealen, pas të cilës do të nis të blej më shumë. Tani për tani jam e kënaqur edhe me këtë peshë që kam”.

Flora tashmë është 72 kg dhe pret që të arrijë peshën 65 kg, e përcaktuar si pesha ideale për të. Pas një viti, jeta e Florës ka ndryshuar plotësisht dhe gjithçka falë Spitalit Amerikan.

Top Channel